LDK Vushtrri paralajmëron anëtarësinë: Mos bini pre e thirrjeve të paautorizuara

Kryesia e Degës së Lidhjes Demokratike të Kosovës në Vushtrri ka lëshuar një njoftim zyrtar drejtuar anëtarëve dhe aktivistëve të saj duke paralajmëruar për përpjekje për përçarje dhe mobilizime të paautorizuara në prag të balotazhit zgjedhor.

Në reagim thuhet se gjatë ditës janë pranuar njoftime për disa anëtarë të ftuar në takime jozyrtare, të cilat janë prezantuar si “jo politike”, por që nuk janë organizuar nga strukturat zyrtare të LDK-së.

“Kemi pranuar njoftime nga disa anëtarë tanë, të cilët janë ftuar në një takim për kafe, nën arsyetimin se nuk bëhej fjalë për aktivitet politik të organizuar nga LDK. Dëshirojmë të sqarojmë se çdo takim apo mobilizim politik në emër të Lidhjes Demokratike të Kosovës në Vushtrri organizohet dhe koordinohet vetëm nga Kryesia e Degës dhe strukturat e saj zyrtare,” thuhet në njoftim.

LDK Vushtrri thekson se çdo veprim jashtë këtij koordinimi, veçanërisht në prag të balotazhit, “konsiderohet tentim përçarjeje të strukturës sonë dhe dëmtim të votës së LDK-së”.

Në njoftim po ashtu kritikohet bashkëpunimi i mundshëm i individëve me subjekte të tjera politike për interesa personale apo biznesore duke u theksuar se LDK “nuk ndërtohet mbi pazare e interesa të ngushta, por mbi parime, dinjitet dhe besim qytetar”.

“LDK në Vushtrri ka qenë dhe mbetet shtëpia politike e njerëzve të ndershëm, të cilët përbëjnë shumicën absolute të anëtarësisë sonë. Pas përfundimit të balotazhit, në organet përkatëse të partisë do të adresohen të gjitha veprimet që dëmtojnë Degën dhe vullnetin e votuesve tanë,” theksohet më tej.

Në fund, Kryesia e Degës ka bërë thirrje për unitet dhe disiplinë politike: “Mos bini pre e asnjë thirrjeje të paautorizuar. Mos lejoni përçarje. Qëndroni të bashkuar dhe të organizuar. LDK është më e madhe se çdo interes personal. Fjala jonë është besimi i qytetarëve të Vushtrrisë.” /Kosova.info/


Go to TOP