LDK nuk mundet me vazhdu pakufi me qasjen “as mish, as peshk”

Shkruan: Shenoll MUHARrEMI

Duket që shumë shpejt, ose javët në vijim, ose pas zgjedhjeve të jashtëzakonshme, fokusi politik dhe ai i krizës dhe zgjidhjes së saj do të kalojë nga LVV te LDK.

Kjo e fundit është partia e tretë dhe, me gjasë, ashtu do të mbetet edhe pas zgjedhjeve të jashtëzakonshme që do të kemi. Në këtë kontekst, i takon asaj të vendosë se në cilën anë dëshiron të jetë për të krijuar shumicën parlamentare në Kosovë.

LDK është tepër e acaruar dhe e larguar nga LVV, por edhe me PDK nuk bashkëpunon për zgjidhjen e situatës.

Atëherë, maksimumi pas zgjedhjeve të jashtëzakonshme, LDK nuk mundet me vazhdu me këtë qasje se bëhet pjesë kryesore e problemit. Nuk mundet me qenë neutrale e as e pavendosur, por duhet të zgjedhë dhe me e mbajë njërën anë për me mundësi me formu shumicën parlamentare. Nëse jo, do të jetë fajtore dhe përgjegjëse.

Gjatë kësaj periudhe, strategjia e LDK-së duket se ka qenë të shtyjë krizën deri në zgjedhjen e presidentit, për me shmang përsëritjen e zgjedhjeve. Këtë qëllim, bashkë me atë mos me pas zgjedhje lokale dhe nacionale të njejtën kohë, e ka arritur.

Tash e tutje nuk ka më hapësirë për neutralitetin e saj, i cili do të shndërrohet nga “taktikë” partiake në krizë dhe dëm për vendin dhe vetë partinë.


Go to TOP