LDK mbyll fushatën në Prishtinë, premton zhvillim dhe investime
Lidhja Demokratike e Kosovës ka përmbyllur fushatën elektorale për zgjedhjet e së dielës në kryeqytetin e Kosovës.
Para simpatizantëve të partisë, kandidati për kryeministër nga ky subjekt politik, Lumir Abdixhiku, deklaroi se Kosova, nën qeverisjen e tij, do të përjetojë një zhvillim të hovshëm për të gjithë qytetarët e vendit.
Ai u zotua për investime në energji, infrastrukturë, arsim dhe shëndetësi.
Ndërsa, Vjosa Osmani, bartëse e listës së LDK-së duke i dhënë mbështetje Abdixhikut, deklaroi se tani është koha për hapjen e një kapitulli të ri për Kosovën, në koordinim me vendet aleate, në veçanti me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“Unë besimin e kam te ju, te të gjithë ju, se ju do ta ringritni Kosovën aty ku e meriton. Besoj te mençuria e këtij populli. Historia e LDK-së është historia e ringritjes, ashtu siç do të ringritet më 7 qershor. Ashtu do ta ringrisim historinë tonë, republikën”, tha Osmani.
Në këtë tubim përmbyllës u tha se LDK synon t’u ofrojë qytetarëve më shumë mundësi, mirëqenie dhe zhvillim ekonomik, derisa u zotuan për angazhim në zbatimin e projekteve, të cilat, sipas drejtuesve të LDK-së, do ta çojnë vendin drejt një faze të re zhvillimi.
