LDK: Koha të fokusohet te truri, jo te lakmia dhe pasqyra
Shkruan: Shenoll MUHARrEMI
Kur e lexova një lajm se si kjo parti konservatore po e përfshinë emisionin Big Brother në narrativin e zgjedhjeve dhe ardhmërisë së Kosovës, nuk i besova syve. Truri po pyeste ‘cila është vlera e shtuar këtu’? Cila është arsyeja dhe kuptimi, çfarëdo qoftë? Në disa momente truri po pyeste heshturazi ‘a është çmendur LDK’.
Aha, fjala është për një akt komunikimi, jo për politika publike. Për me i fitu 2-3 vota më shumë. Me u bë makiavelist. Me i injoru parimet dhe vlerat dhe me kalu në fushën e opurtunizmit. Me e targetu audiencën e një emisioni që me dalë ndoshta pak më mirë me vota. Po çfarë nëse kjo e ka efektin e kundërt, a e ka konsideruar strategët e partisë këtë scenario?
E vërteta është që LDK ka një bazë shumë të mirë të kapaciteteve të njerëzve brenda saj. Por, sikurse ai tinejxheri, partia nuk po ngopet me atë që ka brenda, s’po ja di vlerën asaj që e ka, e po del në ‘gjeti’ me kërku fatin e saj. Kësaj i thonë ‘greed’ apo lakmi. E lakmia mund të të shkatërrojë, e ka bërë këtë te korporatat, shtetet e partitë politike. Po, të kthehemi, cila është një vlerë e vetme që ky kandidat i shton partisë?
Partia metëvërtetë ka brenda saj persona me eksperiencë politike, por edhe me eksperiencë moderne ekonomike që munden me qenë vlerë e shtuar për Kosovën. Dmth LDK ka thuajse gjithçka që i nevojitet brenda saj. Ajo duhet të fokusohet tek ofrimi i zgjidhjeve alternative për kosovarët, për bizneset dhe qytetarët e familjet, të cilat po sfidohen. Duhet të theksoj gjithashtu integritetin e saj, të siguroj publikun që disa gabime nga e kaluara nuk ndodhin më.
Mbase LDK duhet të fokusohet të azhurnoj programin e saj Rruga e Re e cila tashmë është vjetruar dhe harruar. Ta komunikoj atë te publiku dhe zgjidhjet që ofrohen nga programi e jo të na sjellë një show nga Big Brother.
Kosovës i duhen zgjidhje jo vetëm për ekonomi, por edhe për diplomaci e daljen nga njëfarë izolimi. Për zhbllokim të potencialit socio-ekonomik e për zgjidhje të sfidave ndëretnike të sigurisë. Cilat nga këto sfida të kosovarëve mundet me i zgjidhë kandidati që na prezantuan?
Ngapak ky ‘risk’ sot të kujton edhe rastin me kryetarin e Prishtinës. Ju kujtohet, kështu e sollën LDK, por sot nuk di nëse kjo ka sjellë përparësi apo do të ndëshkohen për këtë veprim nga elektorati në Prishtinë. Sikurse nuk mësuan shumë nga ky eksperiment, ata sot as nuk e përkrahin e mbrojnë kandidatin e saj të Prishtinës e as nuk distancohen nga ai. Ky rasti sot është një episod i dytë i LDK, në këtë stil.
Baza e këtij problemi është lakmia e saj. Për shkak se ajo po lakmon, jo metodemos për me rregullua Kosovën, por me na sjellë figura nga Big Brother në politikë sa për të i fituar disa vota më shumë në dëm të ardhmërisë së fëmijëve tanë. Sikurse gjithçka të kishte qenë në rregull, kjo ndoshta edhe kishte kaluar. Ndoshta në një Kosovë të një ekonomie 100 miliardë edhe nuk do të kishte ndikim, por ne ende mbesim vendi me ekonominë më të vogël për kokë banori në rajon dhe mbase në Evropë.
Ky veprim është manifestim i lakmisë dhe demonstrim i mosdurimit dhe mungesë së stilit dhe klasës në politikë nga një klasë e re politikanësh që presim standarde të larta. Nuk është një veprim për të mirën e publikut, por për interesa opurtuniste të partisë. Fatkeqësisht, ky veprim as nuk i ndihmon kauzës së opozitës e as përparimit të partive politike.
Për fund, ne duhet të jemi të kujdesshëm, kjo nuk ka të bëjë me personin në fjalë. Ne nuk duhet të gjykojmë askënd, dhe duhet të tregojmë respekt për gjithsecilin. As nuk e njoh personin e as nuk dëshiroj me e gjykua. As nuk kam parë as edhe një sekondë të Big Brother, ai sigurisht i ka vlerat e tij në jetë dhe profesion. Por ai nuk është zgjedhur në këtë rast për përparësitë dhe eksperiencën në politika publike. Aty u ftua si një ‘show man’ për me arrit një efekt të komunikimit.
