LDK-ja bojkoton seancën për zgjedhjen e kryesuesit të Kuvendit të Prizrenit

Grupi i këshilltarëve të LDK-së ka paralajmëruar bojkotimin e seancës së Kuvendit të Komunës së Prizrenit, ku në rend dite është zgjedhja e kryesuesit të këtij organi. Dega e LDK-së të mërkurën ka njoftuar se vendimi për mospjesëmarrje në seancë është marrë gjatë një takimi të zhvilluar mes nënkryetarëve të degës dhe kuvendarëve të kësaj partie.

“Në takimin që kanë mbajtur sot, Grupi i Kuvendarëve me nënkryetarët e degës tonë, është vendosur që kuvendarët të mos marrim pjesë në seancën e radhës, ku pritet të jetë në rend dite zgjedhja e kryesuesit të Kuvendit të Komunës. Gjithashtu, nga ky takim doli zotimi se grupi do të mbetet në konsulta të vazhdueshme me kryesuesit që po e menaxhojnë degën deri në një situatë të re reformimi dhe lidershipi të ri”, thuhet në njoftimin e degës së LDK-së, të publikuar në rrjetet sociale.

Pas zgjedhjeve komunale të nëntorit, në KK-në e Prizrenit që ka 41 vende, VV-ja përfaqësohet me 12 anëtarë, pasuar nga PDK-ja me 11 anëtarë, LDK-ja me 7, AAK-ja me 3, Nisma me 2, KDTP-ja me 2, derisa NDS, Vakat, SDU dhe YTHP do të përfaqësohen me nga 1 anëtar. PDK-ja në prag të balotazhit ishte pajtuar për bashkëqeverisje me AAK-në dhe Nismën. LDK-ja pati deklaruar neutralitetin në prag të rundit të dytë. Por fituesi i zgjedhjeve për kryetar të Prizrenit, Shaqir Totaj pas balotazhit pati vlerësuar angazhimin e subjektit të tij, por edhe të partnerëve të koalicionit si dhe të votuesve të LDK-së. Përpjekjet e tij për ta përfshirë edhe LDK-në në bashkëqeverisje deri në momentin e raportimit nuk kanë prodhuar ndonjë rezultat konkret.

Bazuar në dispozitat e aktit nënligjor për t’u zgjedhur kryesuesi në votimin e parë, kandidati i propozuar duhet të marrë më shumë se gjysmën e votave të numrit të përgjithshëm të anëtarëve të zgjedhur, përderisa në rast se në votimin e parë asnjëri prej kandidatëve nuk e siguron shumicën e kërkuar, atëherë dy kandidatët me numrin më të madh të votave shkojnë në votimin e dytë. Kandidati që merr më shumë se gjysmën e votave të numrit të përgjithshëm të anëtarëve të zgjedhur zgjidhet kryesues i KK-së. Nëse edhe pas votimit të dytë asnjëri nga kandidatët nuk fiton shumicën e kërkuar, atëherë shkohet në votimin e tretë, ku kryesues zgjidhet kandidati që merr më shumë se gjysmën e votave të anëtarëve të pranishëm dhe që votojnë. Ndërkohë nëse edhe pas votimit të tretë nuk zgjedhjet kryesuesi, atëherë i tërë procesi përsëritet.

Seanca e KK-së së Prizrenit është caktuar për ditën e enjte, me dy pika të rendit të ditës, duke filluar me betimin e anëtarëve të rinj, për të vazhduar më pas me zgjedhjen e kryesuesit.

Në materialin zyrtar të kësaj seance, aty parashihet të betohen katër anëtarë të rinj, të subjekteve të ndryshme politike. Shukri Quni i Nismës e zëvendëson Zafir Berishën, i cili ka dhënë dorëheqje për arsye të angazhimeve në aktivitete partiake. Sead Arifi i Vakatit e zëvendëson Bahrim Shabanin, i cili ka dhënë dorëheqje, për arsye se mban pozitën e deputetit në Kuvendin e Kosovës. Agim Muqaj i AAK-së zëvendëson Lulzim Kabashin, i cili ka dhënë dorëheqje për arsye personale, ngjashëm sikurse Admir Aljilji i SDU që zëvendëson Dzenngis Saliji.

Për dallim prej LDK-së, partia që ka dalë fituese pas rundit të dytë të zgjedhjeve për kryetar të komunës, ka nominuar një anëtare të saj për kryesuese të KK-së.

“Partia Demokratike e Kosovës, dega në Prizren, pas mbledhjes së kryesisë së degës të mbajtur të martën ka propozuar për kryesuese të Kuvendit, kuvendaren Antigona Bytyqi. Ky propozim është përkrahur unanimisht nga gjithë anëtarët e kryesisë dhe asamblistët e zgjedhur të PDK-së”, thuhet në njoftimin e degës së PDK-së, me ç’rast thuhet se Bytyqi është zgjedhur për herë të dytë si anëtare e Kuvendit dhe se i plotëson të gjitha kriteret profesionale për të qenë udhëheqëse e denjë. “Ajo për shumë vite punon mësimdhënëse në arsim, ka integritet, aftësi menaxhuese dhe mbi të gjitha posedon aftësi komunikimi të nivelit të lartë”, thuhet në njoftim.

Aktivistet e shoqërisë civile javë më parë patën kërkuar nga përfaqësuesit politikë në KK-në e Prizrenit që të reflektojnë dhe ta zgjedhin një kryesuese.

Në anën tjetër drejtuesit e degës së PDK-së në Prizren ditë më parë kanë theksuar se janë duke i vazhduar konsultat me subjektet tjera politike për zgjedhjen e kryesuesit të KK-së si dhe për përcaktimin e përbërjes së re të Ekzekutivit komunal. “Ne po i bëjmë të gjitha përpjekjet që bashkë me partnerët e koalicionit dhe anëtarët e Kuvendit që ta sigurojmë shumicën për zgjedhjen e kryesuesit të KK-së. Po ashtu qeveria e re komunale në krye me Shaqir Totajn është e interesuar që sa më parë qytetarëve të Prizrenit t’i ofrojë një qeverisje stabile katër vjeçare. Për të dyja këto çështje, jemi duke u takuar me partitë politike, me të cilat mendojmë se do ta drejtojmë komunën, por në të njëjtën kohë do ti sigurojmë votat për zgjedhjen e kryesuesit”, pat thënë nënkryetari i degës së PDK-së, Kujtim Gashi.

Go to TOP