LDK: Gruaja u vra në duart e shtetit, Kurti vuan se si ‘gëzohen armiqtë’

Zëdhënësja e LDK-së, Sibel Halimi thotë se gratë dhe vajzat në vendin tonë vriten çdo ditë nga gjuha dhe mendësia patriarkale, ku duhet të pranojnë çdo lloj nënshtrimi.

Halimi në një postim në Facebook, ka thënë se edhe në spote të ndryshme, “të rinjve u mësohen t’i pranojnë vajzat si objekte seksuale, ku dhunuesit ia shkulin flokët e dominimi i tyre çdo ditë na servohet si vlerë”.
“Gruaja u vra në duart e shtetit! E kryeministri ynë vuan se si ‘gëzohen armiqtë’ tanë e se si vendi ynë mbeti pa dy qytetarë. Pikërisht, ky është zgjatimi i patrirkalizmit, misogjenizmit, femicidit; e jeta e grave kur nuk është dhembja që duhet të na vret ndërgjegjen tonë, por se si na shohin të tjerët!”, shkruan mes tjerash zëdhënësja e LDK-së.

Postimi i plotë:

Në shoqërinë tonë, grave dhe vajzave iu merret jeta lehtësisht, sepse ato çdo ditë vriten nga gjuha e mendësia patriarkale. Në rritën e tyre, detyrohen të jenë të buta e të qeta, të pranojnë çdo lloj nënshtrimi, në shkollë të mësojnë nga tekstet e stërmbushura me stereotipe, ku ato prezantohen si qytetare të dorës së dytë ku nxënësve u mësohet që gratë dhe vajzat nuk vlejnë më shumë se sa të rrinë në shtëpitë e tyre. Kur të rriten, të papuna, të varura tërësisht nga mëshira e burrave të tyre.

Në spote të ndryshme, të rinjve tanë u mësohen t’i pranojnë vajzat si objekte seksuale, ku dhunuesit ia shkulin flokët e dominimi i tyre çdo ditë na servohet si vlerë.

Kur gratë nuk e duan këtë mendësi, refuzojnë, stigmatizohen, përjashtohen e shpallen ‘histerike’, të papërshtatshme për rrethin, familjen e rendin shoqëror që është i zhytur në eliminimin e secilës që nuk i rri në këmbë gatitu dhunuesit që është kudo.

Kur shtetit i kërkohet ndihmë, aty të ulur janë po të njëjtit që i duan gratë e vajzat e nënshtruara, shprehin me lehtësi besimin e tyre personal se si tek ato fillon problemi, sepse ‘gratë dhe vajzat kanë dalë jashtë kontrollit’.

E kur vrasja ndodh, në njërën anë një britmë kolektive, e anën tjetër shumë arsyetime për vrasësin që njerëzit me emër e mbiemër shprehen poashtu lehtësisht në rrjete sociale.

Gruaja u vra në duart e shtetit! E kryeministri ynë vuan se si ‘gëzohen armiqtë’ tanë e se si vendi ynë mbeti pa dy qytetarë. Pikërisht, ky është zgjatimi i patrirkalizmit, misogjenizmit, femicidit; e jeta e grave kur nuk është dhembja që duhet të na vret ndërgjegjen tonë, por se si na shohin të tjerët!

Go to TOP