LDK akuzon drejtorin e VV-së për mashtrim: Publikoi lejen e objektit, jo të Bulevardit të Qytetit

Përplasjet mes opozitës dhe pushtetit lokal në Gjilan janë intensifikuar lidhur me projektin e Bulevardit të Qytetit, pasi asamblisti i LDK-së, Gentrit Murseli, dhe deputeti i kësaj partie, Ermal Sadiku, kanë akuzuar drejtorin e Shërbimeve Publike, Kushtrim Ibrahimi, për mashtrim dhe dezinformim të opinionit publik.

Murseli ka deklaruar se dokumenti i publikuar nga Ibrahimi nuk dëshmon ekzistimin e lejes për ndërtimin e Bulevardit të Qytetit, por vetëm lejen ndërtimore për objektin e Administratës Komunale me etazhitet “B+P+5”.

Sipas tij, drejtori ose nuk është i informuar për çështjen që po mbron, ose po tenton qëllimisht të dezinformojë qytetarët.

“Në përpjekje për t’i hedhur poshtë pretendimet e mia se ndërtimi i Bulevardit të Qytetit nuk ka leje, ai në fakt vetëm i ka vërtetuar ato. Kur qytetarët kërkojnë lejen për bulevardin, drejtori publikon lejen për objektin e Komunës. Kjo nuk është përgjigje, por shmangie nga pyetja kryesore”, ka shkruar Murseli.

Ai ka kërkuar publikimin e lejes për Bulevardin e Qytetit, nëse ajo ekziston, ndërsa ka paralajmëruar se do të kërkojë zyrtarisht qasje në dokumente publike në Drejtorinë e Urbanizmit për këtë çështje.

Në mbështetje të tij ka dalë edhe deputeti i LDK-së, Ermal Sadiku, i cili i është drejtuar publikisht drejtorit Ibrahimi dhe Lëvizjes Vetëvendosje duke thënë se debati ka qenë për lejen e Bulevardit dhe jo për lejen e objektit komunal.

“Ti në profil ke publikuar lejen e objektit, për të cilën askush nuk ka ngritur dyshime. Madje, në videon e publikuar e pranon vetë se leja për Bulevardin nuk ekziston ende dhe se jeni vetëm në procedurë”, ka deklaruar Sadiku.

Ai e ka cilësuar të papranueshëm mashtrimin e opinionit publik dhe ka paralajmëruar se deklarimet e rreme mund të kenë pasoja ligjore.

“Prandaj, të bëj thirrje ta fshish postimin ose t’u kërkosh falje publike qytetarëve të Gjilanit. Askush nuk të bllokon në punë, por do të të bllokojmë në mashtrime”, ka shkruar deputeti i LDK-së. /Kosova.info/


Go to TOP