LDK‑ja nuk ringjallet nga mbetjet e Isës dhe Hashimit – koha për pastrim dhe rilindje!

Shkruan: Halil GECI

LDK-ja nuk mund të ringjallet pa largimin e klikës që e ka çuar në rënie.

Partia e Ibrahim Rugovës, dikur shtylla kryesore e shtetndërtimit të Kosovës, sot vazhdon të endet në një rreth vicioz të humbjeve të njëpasnjëshme. Shkaku është i qartë: brenda saj ende dominojnë ata që e kanë degraduar dhe e kanë çuar drejt dobësimit – mbështetësit e Isa Mustafës, Hashim Thaçit, Lutfi Hazirit, Avdullah Hotit, Lumir Abdixhikut dhe rrethit të tyre të ngushtë.

Këta individë dhe grupet që i rrethojnë kanë shndërruar LDK-në në një strukturë të pafuqishme, pa vizion dhe pa kapacitet për t’u ringritur.

Pavarësisht se kush udhëheq, me apo pa Isa, me apo pa Hazirin, me apo pa Kicën, rezultati mbetet i njëjtë: vendi i tretë. Dhe kjo nuk është aspak rastësi.

Ky është trashëgimi e drejtimit të Isa Mustafës – një strategji e qëllimshme për ta mbajtur partinë në një “ngjitje të kontrolluar”, duke i frenuar energjitë transformuese dhe duke mos lejuar që LDK të synojë më lart. Jo nga mungesa e elektoratit, por nga frika e strukturave të kapura, që nuk e duan rikthimin e saj si forcë e parë politike.

Aq më keq kur familjet që përfaqësojnë vlerat dhe kontributet e luftës dhe të paqes i mbështesin e i duartrokasin këta hileqarë. Kjo është pikërisht ajo plagë që do ta mbajë peng LDK-në edhe për shumë kohë.

Kjo u pa qartë edhe në zgjedhjet e fundit parlamentare. Edhe pse mbetën në vendin e tretë, disa brenda partisë këtë e quajtën sukses. Pse? Sepse e dinë që një rezultat më i lartë do të nxirrte në sipërfaqe përplasjet e brendshme mes grupeve të interesit që kontrollojnë partinë.

Nëse LDK-ja dëshiron të rikthehet si forca kryesore politike në vend, nuk mund ta bëjë këtë me të njëjtët njerëz që e kanë çuar nga humbja në humbje. Ka ardhur koha për reflektim të thellë, për përgjegjësi dhe për largimin e atyre që e kanë kapur partinë për interesa personale.

Koha për ndryshim ka kaluar.

Ata që e rrënuan, e mashtruan dhe e çnjerëzuan LDK-në kanë emra – dhe duhet të largohen.

Rrugovizmi dhe vlerat e vërteta të LDK-së nuk mund të ringjallen pa një pastrim të thellë dhe të ndershëm.

Vetëm atëherë mund të ketë një rilindje të vërtetë.

Vetëm atëherë LDK mund t’i kthehet rrugës së Rugovës.


Go to TOP