LBK reagon ashpër ndaj ZRrE-së: Vendimet e pamenduara po shkatërrojnë sektorin privat dhe industrinë prodhuese

Lidhja e Bizneseve të Kosovës (LBK) ka shprehur shqetësimin e thellë dhe reagimin e saj më të vendosur ndaj asaj që e quan përkeqësim sistematik të ambientit ekonomik në vend duke paralajmëruar pasoja të rënda për sektorin privat, në veçanti për industrinë prodhuese dhe ndërmarrjet vendore.

Në qendër të reagimit të LBK-së qëndron vendimi i fundit i Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRrE) për përjashtimin e 1,263 bizneseve nga tregu i rregulluar dhe kalimin e tyre në një “treg të lirë” të energjisë – që sipas LBK-së, në praktikë është shndërruar në një monopol me çmime të papërballueshme dhe rritje mbi 260%.

“Ky vendim u mor pa konsultim me komunitetin e biznesit, pa vlerësim të ndikimit socio-ekonomik dhe në kundërshtim me frymën e ligjit për shërbimin universal,” thuhet në reagim.

LBK thekson se kjo situatë rëndohet edhe më tej nga bllokimi institucional që po pengon ratifikimin e marrëveshjeve ndërkombëtare dhe po i mbyll dyert e qasjes në miliona euro ndihmë dhe investime për ekonominë e Kosovës.

Kërkesat urgjente të LBK-së përfshijnë:

Pezullimin e menjëhershëm, për së paku një vit, të vendimit të ZRrE-së për përjashtimin nga tregu i rregulluar, për të mundësuar një tranzicion të drejtë dhe të përballueshëm;

Formimin sa më të shpejtë të institucioneve shtetërore, për të zhbllokuar marrëveshjet ndërkombëtare dhe për të rikthyer stabilitetin financiar e institucional;

Krijimin e një tregu realisht konkurrues të energjisë, që ndalon monopolin, garanton çmime të arsyeshme dhe lehtëson investimet në energji të ripërtëritshme;

Zbatimin e reformave fiskale konkrete dhe të targetuara, për mbështetjen e industrisë prodhuese dhe nxitjen e investimeve.

LBK i bën thirrje qeverisë dhe institucioneve të ndërmarrin veprime urgjente për të shmangur një krizë të thellë ekonomike dhe sociale duke theksuar se “Kosova nuk mund të ndërtojë të ardhmen duke shkatërruar të tashmen ekonomike.”

Në përfundim, Lidhja e Bizneseve të Kosovës ripërsërit përkushtimin e saj për të mbrojtur interesat e komunitetit të biznesit dhe kërkon reflektim institucional, transparencë dhe bashkëpunim të menjëhershëm për të ndalur rrënimin ekonomik.

“Nëse dëmtohet sektori privat – dëmtohet ekonomia, buxheti dhe mirëqenia e qytetarëve,” përfundon reagimi i LBK-së. /Kosova.info/


Go to TOP