LBK kundërshton rritjen e tarifave të ujit dhe tatimit në pronë: Barrë e papërballueshme për bizneset dhe qytetarët
Lidhja e Bizneseve të Kosovës (LBK) ka shprehur shqetësim të thellë lidhur me paralajmërimet për rritjen e tarifave të shërbimeve të ujit dhe rritjen e tatimit në pronë, të cilat pritet të hyjnë në fuqi nga 1 janari 2026. Sipas LBK-së, këto vendime përbëjnë një barrë të rëndë financiare për qytetarët dhe, në mënyrë të veçantë, për bizneset, duke rritur ndjeshëm kostot operative dhe duke rrezikuar konkurrueshmërinë, investimet dhe punësimin.
Sipas propozimeve të kompanive rajonale të ujësjellësit, rritja e tarifave të ujit mund të arrijë deri në 40 për qind, çka do të ketë ndikim të drejtpërdrejtë dhe serioz në buxhetin familjar dhe në veprimtarinë e bizneseve. Kjo vjen në një periudhë kur ekonomia e vendit po përballet me rritje të çmimeve të energjisë elektrike, inflacion, pasiguri ekonomike dhe presion të vazhdueshëm financiar.
LBK thekson se e kupton nevojën për investime në infrastrukturë, përmirësim të shërbimeve dhe mbulimin e kostove të energjisë, por nënvizon se kjo barrë nuk mund të bartet në mënyrë të njëanshme mbi konsumatorët dhe sektorin privat, pa transparencë të plotë, pa analiza të detajuara të kostove dhe pa u shterur më parë alternativat e tjera.
Në këtë kontekst, LBK i bën thirrje Autoritetit Rregullativ për Shërbimet e Ujit (ARRU) që të përfshijë përfaqësuesit e bizneseve dhe shoqërinë civile në procesin e vendimmarrjes, të vlerësojë me kujdes ndikimin ekonomik dhe social të rritjes së tarifave, si dhe të shqyrtojë rritje graduale, të diferencuara ose masa lehtësuese, në vend të rritjeve të menjëhershme dhe të larta.
Po ashtu, LBK i bën thirrje Qeverisë së Republikës së Kosovës që të analizojë situatën në mënyrë gjithëpërfshirëse dhe të ndërmarrë masa konkrete për të mos rënduar më tej sektorin privat, i cili mbetet shtylla kryesore e zhvillimit ekonomik, punësimit dhe të hyrave buxhetore të vendit.
“Uji është shërbim esencial dhe çdo vendim për çmimin e tij duhet të jetë i arsyetuar, i drejtë dhe ekonomikisht i përballueshëm për qytetarët dhe bizneset”, thuhet në reagimin e LBK-së.
