LBK alarmon për krizë ekonomike pas zgjedhjeve: Kosova në ngërç të plotë institucional e zhvillimor
Lidhja e Bizneseve të Kosovës (LBK) ka shprehur shqetësimin e thellë për gjendjen ekonomike në vend, pas zgjedhjeve nacionale të 9 shkurtit duke e cilësuar situatën aktuale si “ngërç të plotë institucional dhe ekonomik”.
Sipas LBK-së, mungesa e institucioneve funksionale dhe e vendimmarrjes ka ndaluar proceset zhvillimore, ndërsa ekonomia e vendit po përballet me stagnim të rrezikshëm. “Në vend që të ecim përpara me reforma, investime dhe zhvillim, ekonomia po ngec, investimet po bien, dhe qytetarët po e ndjejnë barrën e papërgjegjësisë politike çdo ditë e më shumë”, thuhet në reagimin e organizatës.
LBK thekson se për shkak të inateve politike po dëmtohet drejtpërdrejt ekonomia e vendit, me rritje të importit dhe ulje të eksportit, çka thellon bilancin negativ tregtar dhe dëmton konkurrueshmërinë e prodhimit vendor.
Sipas saj, mungesa e reformave fiskale dhe pezullimi i politikave zhvillimore kanë krijuar pasiguri në sektorin privat, ndërsa shumë borde dhe agjenci shtetërore po funksionojnë me ushtrues detyre pa legjitimitet për vendime strategjike.
“Nga një vend që dikur ishte model për rajonin, Kosova sot është kthyer prapa – me ekonomi të ngadalësuar dhe mungesë të plotë të vizionit ekonomik”, vlerëson LBK.
Në komunikatë thuhet se mbi 1 miliard euro kredi dhe grante zhvillimore janë bllokuar në Kuvend për shkak të mosfunksionimit institucional, mjete që do të mund të investoheshin në energji, infrastrukturë, arsim dhe prodhim.
LBK paralajmëron se vendi po përballet me: çmime të larta të energjisë dhe kosto të rritura të prodhimit; mungesë investimesh të huaja dhe rrezik për largim të kapitalit ekzistues; ngadalësim të rritjes ekonomike dhe humbje të vendeve të punës dhe pezullim të dialogut strategjik Kosovë–SHBA, që dëmton rëndë imazhin ndërkombëtar të Kosovës.
Në fund, Lidhja e Bizneseve të Kosovës apelon për përgjegjësi institucionale dhe zgjidhje urgjente të krizës politike duke kërkuar që vendi të rifitojë stabilitetin ekonomik dhe besimin e investitorëve.
“Bizneset kërkojnë qeverisje funksionale, vendimmarrje dhe klimë të qëndrueshme zhvillimore, jo bllokadë dhe pasiguri”, përfundon reagimi. /Kosova.info/
