Latifi takohet me Ambasadoren e Dukatës së Luksemburgut, flasin për thellimin e bashkëpunimit
Ministria e Shëndetësisë, ka bërë të ditur se ministri, Rifat Latifi ka pritur sot në takim Ambasadoren e Dukatës së Luksemburgut, Natacha Gomes, me të cilën biseduan për thellimin e bashkëpunimit mes Dukatës së Luksemburgut dhe Republikës së Kosovës, përkatësisht Ministrisë së Shëndetësisëm.
Sipas MSH’së, në këtë takim, ministri Latifi shprehu falënderimin e tij të veçantë për ndihmën e dhënë nga Dukata e Luksemburgut për përmirësimin e sektorit të shëndetësisë deri më tani, si dhe njoftoi Ambasadoren Gomes për gjendjen e tanishme, planet dhe prioritetet e Ministrisë së Shëndetësisë, “ku theks të veçantë iu dha ndërtimit të Qendrës së Traumës dhe krijimit të Qendrës Simulative dhe të Teknologjisë (në fushën e kujdesit shëndetësor)”.
“Temë tjetër e diskutimit ishte mbajtja e takimit të përbashkët me të gjithë donatorët ekzistues dhe ata potencialë në fushën e shëndetësisë në Kosovë, ku do të shpalosen planet afatgjate të Ministrisë së Shëndetësisë për transformimin e sektorit shëndetësor në vendin tonë. Në këtë takim u diskutua edhe për menaxhimin e situatës epidemiologjike në vend dhe përmirësimit të saj, por u theksua nevoja që vaksinimi të vazhdojë si e vetmja rrugë për t’u mbrojtur kundër Covid-19”, thuhet nga Ministria e Shëndetësisë.
Sipas MSH’së, Ambasadorja e Luxemburgut, Natacha Gomes, e njoftoi Ministrin Latifi për ndihmën që shteti i saj ka dhënë për sektorin e shëndetësisë e Kosovës, projektet për të ardhmen dhe po ashtu të dy u dakorduan për një vizitë të Ministrit të Shëndetësisë së Luxemburgut në Kosovë.
