Latifi: Nëse doni ta dini si kanë qenë pashallarët shqiptarë, shikoni Kadirovin e Çeçenisë

Profesori universitar, Blerim Latifi, njëherësh edhe njohës i rrethanave politike, ka ngritur një analogji mes vezirëve e pashallarëve shqiptarë që shërbenin gjatë periudhës së Perandorisë Osmane dhe liderit të Çeçenisë, Ramzan Kadirov.

Latifi, nëpërmjet një shkrimi në ‘Facebook’, thotë se njësoj sikurse Kadirovi që sundon Çeçeninë, edhe pashallarët e mëhershëm sundonin trojat shqiptare me atë që ai e quan “dorë të hekurt”.

“Njësoj si Kadirovi sot që e sundon Çeçeninë me dorë të hekurt, si një Putin i vogël, pashallarët e dikurshëm shqiptarë i sundonin trevat shqiptare me dorë të hekurt, si sulltanë të vegjël. Kështu derisa erdhi Rilindja Kombëtare Shqiptare, e cila ua dha të vetmin vend që e meritonin: koshin e plehrave të historisë”, thuhet në postimin e tij.

Postimi i plotë:

Nëse doni ta dini se si kanë qenë vezirët dhe shumica e pashallarëve shqiptarë në Perandorinë Osmane, shikojeni Ramzan Kadirovin e sotëm të Çeçenisë!

Njësoj si Kadirovi sot që bën be në kokën e Putinit dhe kërcënon me hanxhar të gjithë ata që i zënë rrugën planeve ushtarake të tij, pashallarët e dikurshëm shqiptarë bënin be në kokën e Sulltanëve dhe prenin e grinin secilin që u dilte në rrugë planeve të tyre ushtarake, nga muret e Vjenës deri në shkretëtirat e Arabisë.

Njësoj si Kadirovi sot që e sundon Çeçeninë me dorë të hekurt, si një Putin i vogël, pashallarët e dikurshëm shqiptarë i sundonin trevat shqiptare me dorë të hekurt, si sulltanë të vegjël. Kështu derisa erdhi Rilindja Kombëtare Shqiptare, e cila ua dha të vetmin vend që e meritonin: koshin e plehrave të historisë.

Go to TOP