Latifi demanton Bulliqin: Investimet në Podujevë nuk janë 250 milionë euro, por vetëm 34 milionë

Sekretari i degës së LDK-së në Podujevë, Besim Latifi, ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të Kryetarit Shpejtim Bulliqi, i cili ka pohuar se gjatë katër viteve të qeverisjes së tij janë realizuar 250 milionë euro investime në këtë komunë.

Latifi e ka cilësuar këtë deklaratë si mashtrim të qëllimshëm dhe propagandë për të mbuluar dështimet në qeverisje duke sjellë të dhëna konkrete nga dokumentet zyrtare të miratuara nga Kuvendi Komunal dhe të qarkulluara përmes Ministrisë së Financave.

Sipas këtyre të dhënave, investimet kapitale për vitet 2022-2025 janë si vijon: 2022: 6.9 milionë euro; 2023: 9.2 milionë euro; 2024: 8.7 milionë euro dhe 2025: 9.2 milionë euro.

Shuma totale kap vlerën 34,170,341.5 euro, larg pretendimeve prej 250 milionësh.

“Shifrat flasin vetë. Këto janë fakte të dokumentuara që e demantojnë z. Bulliqi. Në vend të zhvillimit, Podujeva ka mbetur pas, me mungesë të theksuar të investimeve serioze në infrastrukturë, shëndetësi, ujësjellës dhe administratë,” ka theksuar Latifi.

Ai shtoi se komuna përballet me borxhe të mëdha në tatimin në pronë dhe me mungesë të vizionit zhvillimor.

“Qytetarët meritojnë të vërtetën, jo manipulime. Turp më vjen për një udhëheqës që flet pa fakte. Turp more rrenc!”, përfundon reagimi i Latifit.

Ai paralajmëron se do të vazhdojë me demantime të tjera për çdo shifër të pavërtetë që, sipas tij, po përdoret për të mashtruar publikun. /Kosova.info/


Go to TOP