Lajçak, optimist për takimin Kurti-Vuçiq në korrik

I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, ka thënë se beson që ekziston momentum për takim në Bruksel ndërmjet liderëve të të dyja shteteve, kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq.

Ai i ka bërë këto deklarata në një konferencë për media në Prishtinë, pak para nisjes në veri të Kosovës.

“Jam angazhuar nëpër takime individuale që takimi i radhës të ketë rezultate që dëshirojmë të shohim”, ka thënë Lajçak për mundësinë e takimit Kurti – Vuçiq në kuadër të dialogut, duke shpresuar që një takim i tillë të zhvillohet në korrik, para nisjes së pushimeve verore.

Këta dy liderë janë takuar dy herë gjatë vitit të kaluar në kuadër të dialogut.

Lajçak ka thënë se përgjatë vizitës triditore në Kosovë është takuar me krerë të pushtetit dhe opozitës për të diskutuar rreth dialogut.

Sipas tij, uniteti politik është shumë i rëndësishëm për ecjen përpara të dialogut, dhe i ka konsideruar shumë të rëndësishme “deklaratat e opozitës në mbështetje të dialogut dhe angazhimeve të qeverisë në këtë proces”.

Për Asociacionin: Marrëveshjet e miratuara duhet të zbatohen

I pyetur për çështjen e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, Lajçak, ka thënë se marrëveshjet e miratuara duhet të zbatohen.

“Është zotim të cilin e ka pranuar Kosova, përfshirë miratimin në Kuvend, ka një parim të së drejës ndërkombëtare që thotë se ajo për të cilën është arritur pajtueshmëri, duhet zbatuar. Këtë nuk e kërkon Brukseli, për këtë janë pajtuar palët”, ka thënë ai për Asociacionin, duke shtuar se për Serbinë kjo është çështje kyçe në dialog.

Formimi i Asociacionit është paraparë me një marrëveshje midis Kosovës dhe Serbisë, të nënshkruar në Bruksel, në vitin 2013.

Dy vjet më vonë, dy vendet kanë arritur edhe një marrëveshje shtesë për themelimin e tij, por Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka konstatuar se parimet për të nuk janë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës.

Gjykata, megjithatë, ka thënë se ato mund të harmonizohen me një akt ligjor të Qeverisë së Kosovës.

Kosova dhe Serbia janë në negociata për normalizimin e marrëdhënieve qysh në vitin 2011. Palët kanë arritur dhjetëra marrëveshje në fusha të ndryshme, por zbatimi i shumicës së tyre ka ngecur.

Go to TOP