Laboratori i “miellit”, 4 të arrestuarit do kryenin vrasje, objektivi ishte…

4 të rinjtë e arrestuar në fshatin Tujan në kuadër të operacionit policor që çoi në zbulimin e laboratorit të drogës në Fier, do të kryenin një vrasje në zonën e Dibrës. Tv Klan shkruan se ky informacion i administruar nga Policia e Shtetit ka detyruar këtë të fundit të ndërhyjë menjëherë duke vënë në pranga Klajdi Kodrën, Bledar Matoshin, Kid Koshenën dhe Redion Meshin. Arrestimi i tyre u finalizua në Rrugën e Arbrit, teksa 4 të rinjtë lëviznin me një automjet tip Range Rover në pronësi të Klajdi Kodrës, ku u gjetën dhe sekuestruan 2 kallashnikovë, 2 pistoleta dhe municion luftarak.

Plani për vrasjen që do kryehej nga 4 të arrestuarit u zbulua nga SPAK dhe Policia e Shtetit në bazë të përgjimeve të kryera prej muajsh në kuadër të operacionit Konsistenca, që u finalizuar me gjetjen e 430 kg kokainë të përzierë në 24 ton pleh kimik që mbahej në një shtëpi në Fier. Objektivi në Dibër nuk është zbuluar ende. 3 nga të rinjtë, konkretisht Bledar Matoshi, Kid Koshena dhe Klajdi Kodra janë emra të njohur për Policinë e Shtetit. Në vitin 2016, Kodra është vënë në pranga pasi i grisi uniformën e policisë një efektivi. Bashkë me të u vu në pranga dhe Bledar Matoshi pasi iu gjet një armë zjarri tip pistoletë, me karkikator me 6 fishekë, me mbishkrimin “CAL.380”.

Kodra rezulton i dënuar më parë për “Armëmbajtje pa leje” si dhe për 4 plagosje, ndërsa i ka shpëtuar edhe një atentati tek Kodrat e Liqenit. Ai plagosi Flamur Çullhajn te “Komuna e Parisit” pas një sherri për një borxh, më 3 gusht të vitit 2016, së bashku me vëllanë e tij, Aldo Kodra. Në vitin 2010, në rrugën “Vasil Shanto” mbetën të plagosur vëllezërit Klajdi dhe Roland Çeço, 25 dhe 27 vjeç. Policia asokohe shpalli në kërkim Klajdi Kodrën, si autor i dyshuar për plagosjet. Klajdi Kodra është tentuar të vritet në vitin 2013, kur u qëllua me një plumb në këmbë. Klajdi Vrioni (Kodra), 32 vjeç, është edhe autori i plagosjes së 19-vjeçarit Reginaldo Kaçorri, ngjarje e ndodhur në 27 maj 2021.

Lajmi u publikua fillimisht nga mediat malazeze, pasi në portin e Tovarit prej muajsh 24 ton pleh kimik i përzierë me 430 kilogramë kokainë priste për marrësin. Kur ky i fundit shkoi në port, ndërhyri DEA dhe u bë arrestimi i tij. Më pas u organizua operacioni për prangosjen e personave të tjerë në Shqipëri.

Në pranga kanë rënë edhe: Zenel Cervanaku, i cili akuzohet se është edhe porositësi i kësaj sasie kokaine; Viktor Çervanaku, ish-kryetari i komunës së Frakullit, djali i tij së bashku me të fejuarën, Denilson Çervenaku dhe Enxhi Ferhati, Nikolin Gjolena (financuesi që është përgjuar). Në kërkim është shpallur kolumbiani Zaimir Rodrigez, i cili dyshohet se kishte ardhur në Shqipëri për të bërë ndarjen e kokainës nga plehu kimik. Në kuadër të këtij operacioni u sekuestruan 15,910 Euro; 3 armë zjarri automatik kallashnikov; 3 armë zjarri të llojit pistoletë; 108 copë fishekë luftarake të kalibrave të ndryshëm; 18 aparate telefonash celulare; 5 automjete; 2 laptop dhe 2 armë gjahu.

Go to TOP