LDK shënon me krenari përvjetorin e degës së parë në “Kodrën e Trimave” – Dragusha: Kjo lagje është histori, sakrificë dhe krenari

Me rastin e 13 majit, në Prishtinë është shënuar me nderim dhe krenari përvjetori i themelimit të Degës së parë të Lidhjes Demokratike të Kosovës, në lagjen “Kodra e Trimave”. Kjo degë u formua më 13 maj 1990, në një periudhë tejet sfiduese për popullin shqiptar në Kosovë, dhe përfaqëson një nga gurthemelët e organizimit politik demokratik në vend.

Kryetarja e kësaj dege, Donjeta Dragusha, theksoi rëndësinë historike të këtij përvjetori duke kujtuar me respekt të thellë guximin dhe vendosmërinë e themeluesve të parë.

“Çdo maj me nderim dhe krenari shënojmë përvjetorin e themelimit të Degës së parë të LDK-së në Prishtinë – Dega ‘Kodra e Trimave’. Kjo është një kujtesë e fuqishme për ata që hodhën themelet e rrugës sonë demokratike në kohë të vështira,” deklaroi Dragusha.

Ajo vlerësoi kontributin e grave dhe burrave që, në kushte të rënda shtypjeje, u rreshtuan përballë sfidave për të ndërtuar një të ardhme të lirë dhe demokratike për vendin.

“Kodra e Trimave nuk është vetëm një lagje – është histori, është sakrificë dhe është krenari,” u shpreh Dragusha duke shtuar se rrugëtimi i nisur më 1990 vazhdon edhe sot me përkushtim të pandalshëm ndaj vlerave të lirisë, demokracisë dhe zhvillimit.

Ajo përmbylli fjalën duke uruar të gjithë veprimtarët dhe aktivistët që kontribuuan ndër vite në këtë degë, si dhe shprehu besimin se me angazhim të përbashkët LDK do të vazhdojë të jetë në shërbim të qytetarëve dhe vlerave që i bashkojnë.

“Urime përvjetorin e Degës së parë të LDK-së – Kodra e Trimave, të gjithë veprimtarëve dhe aktivistëve të LDK-së!”, përfundoi Dragusha. /Kosova.info/


Go to TOP