Kuzhinieri rus Zimin gjendet i vdekur në Beograd

Kuzhinieri rus Aleksey Zimin, i cili drejtonte një restorant në qendër të Londrës dhe ishte kritik i luftës ruse në Ukrainë, është gjetur i vdekur në Beograd në moshën 53-vjeçe.

Prokuroria e Lartë Publike në Beograd ka thënë për Radion Evropa e Lirë (REL) se është njoftuar nga policia për vdekjen e Aleksej Zimin.

“Është urdhëruar autopsi me toksikologji për të përcaktuar shkakun e vdekjes”, tha prokuroria për REL-in.

Vdekjen e Zimin e ka konfirmuar edhe restoranti i tij në Londër, Zima.

Zimin jetoi në Londër viteve të fundit dhe nuk pajtohej me politikën zyrtare të Rusisë.

Postimi i fundit i Ziminit në Instagram ishte i datës 4 nëntor, në të cilin ai njoftoi se më 7 nëntor do të përgatiste një darkë speciale në një klub në Beograd dhe do ta paraqiste projektin e publikuar së fundmi Anglomania – një vështrim personal mbi historinë kulturore të Britanisë së Madhe.

Ai drejtoi një emision gatimi në kanalin rus NTV, i cili u ndërpre pasi ai postoi mesazhe kundër luftës në mediat sociale kur Moska e nisi pushtimin e Ukrainës në shkurt 2022.

“Njëmbëdhjetë vjet. Gjatë 22 sezoneve televizive kam pasur një program të shtunën në mëngjes në prime time në NTV. Që nga maji s’është më… Nuk do të ketë episode të reja për shkak të qëndrimit kundër luftës të drejtuesit të tij. A jam penduar? Jo, më vjen keq që përfunduam duke marrë pjesë në luftë”, shkroi ai në Instagram asokohe.

Portali i pavarur rus Meduza e citoi gazetarit Mihail Fishman, i cili tha se Zimin ishte shumë më shumë se një kuzhinier dhe letrar i talentuar.

“Ai gatuante, këndonte, shkruante, fliste dhe mishëroi vetë jetën. I zgjuar, qesharak, i hareshëm. E njoh për rreth 30 vjet, ndoshta më shumë, dhe ndoshta nuk njoh shumë njerëz të tjerë si ai me të cilët ishte shumë e këndshme”, tha Fishman.

Në Londër, Zimin drejtonte restorantin rus Zima dhe botoi një revistë me të njëjtin emër.

Zimin qenë zëvendëskryeredaktor i revistës gastronomike Afisha, dhe kryeredaktor i Afisha Food.

Ai hapi disa restorante të famshme në Moskë dhe shkroi për gazetat Komersant dhe Vedomosti.

Zimin u lind në Dubna në vitin 1971.

Go to TOP