Kuvendi të enjten me dy seanca, Kusari-Lila: Mocion për masat që duhet të ndërmerren nga Qeveria për adresimin e rritjes së çmimeve

Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Mimoza Kusari-Lila pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit ka thënë është vendosur që si pikë e rendit të ditës në seancën e ardhshme të diskutohet mocioni përmbajtjesor i propozuar nga Grupi Parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) për adresimin e rezolutës e cila do të merret me masat që duhet t’i ndërmarr qeveria për ballafaqimin me rritjen e çmimeve në vend.

Kusari Lila bëri të ditur se vazhdimi i seancës është caktuar të mbahet më 21 korrik, ndërsa seanca e re do të jetë menjëherë pas saj.

“Më 21 korrik do të mbahet vazhdimi i seancës, dhe hapet një seancë e re. Seanca e parë do të fillojë në orën 10:00, ndërsa tjetra pas asaj. Si pikë e rendit të ditës është dhe mocioni përmbajtjesor i propozuar nga Grupi Parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje për adresimin e rezolutës e cila do të merret me masat që do duhet të ndërmarr qeveria për ballafaqimin me rritjen e çmimeve”, ka thënë Kusari-Lila.

Deputetja theksoi se në seancë do të ketë edhe debat parlamentar lidhur me mos liberalizimin e vizave për Kosovën.

Ajo po ashtu tregoi se gjatë mbledhjes së Kryesisë, grupet parlamentare janë dakorduar në parim që të mbështesin mocionin procedural për shqyrtimin e Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes për Studimin e Fizibilitetit të projekt-idesë, për lidhjen hekurudhore Durrës Prishtinë.

“Ka një dakordim në parim të grupeve parlamentare për mbështetje të mocionit procedural për shqyrtimin e Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes së bashkëpunimit për Studimin e Fizibilitetit të projekt-idesë, për lidhjen hekurudhore Durrës – Prishtinë, proces që duhet të miratohet me mocion procedural”, tha ajo, raporton Telegrafi.

Këto janë pikat e rendit të seancës së Kuvendit të Kosovës që do të mbahet më 21 korrik:

Përgatitjet për Seancën plenare të re të radhës:

  1. Deklarimet jashtë rendit të ditës,
  2. Pyetjet parlamentare,
  3. Miratimi i procesverbaleve nga Seancat plenare të mëparshme,
  4. Shqyrtimi i Projektligjit nr.08/L-154 për ratifikimin e “Marrëveshjes së Bashkëfinancimit për studimin e fizibilitetit dhe Projekt – Idesë për lidhjen hekurudhore Durrës-Prishtinë”,
  5. Shqyrtim i dytë i Projektligjit nr. 08/L-065 për Produktet Biocide,
  6. Shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr. 08/L-120 për Ushqimin,
  7. Shqyrtimi i Raportit vjetor të Agjencisë për Informim dhe Privatësi për vitin 2021,
  8. Shqyrtimi i Raportit vjetor të Ndërmarrjes Publike Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut – KOSTT Sh.a. për vitin 2021,
  9. Shqyrtimi i Vendimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës nr. 12/84, datë 22 qershor 2022 për hartimin e Planit Hapësinor të Kosovës,
  10. Shqyrtimi i Vendimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës nr. 13/84, datë 22 qershor 2022 për hartimin e Planit Hapësinor për Parkun Kombëtar “Sharri”,
  11. Ratifikimi i anëtarit të Këshillit Shtetëror të Cilësisë të Agjencisë Kosovare të Akreditimit,
  12. Debat parlamentar në lidhje me mos liberalizimi i vizave nga BE-ja për Kosovën.
  13. Mocioni përmbajtjesor i propozuar nga Grupi Parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje për adresimin e rezolutës e cila do të merret me masat që do duhet të ndërmarr qeveria për ballafaqimin me rritjen e çmimeve.

Ndryshe, rritja e çmimeve për produktet bazike ushqimore në Kosovë nga qershori i vitit të kaluar është rritur 14.1 për qind, thuhet në raportin e ri të Agjencisë së Statistikave (ASK).

ASK-ja thekson se Indeksi i Harmonizuar për Çmimet e Konsumit (IHÇK) vetëm për muajin qershor 2022 është rritur 1.4 për qind, shkruan Telegrafi.

Sipas raportit “Indeksi i Harmonizuar Çmimeve të Konsumit, qershor 2022”, ngritja më e madhe e çmimeve vërehet te vajrat ushqimore me 53.8 për qind, ndjekur nga karburantet me 39.3 për qind dhe buka me 27.7 për qind.

“IHÇK është më i lartë në një mesatare prej 1.4 për qind në muajin qershor 2022 krahasuar me muajin maj 2022. Kjo kryesisht është shpjeguar me ngritjen e çmimeve të konsumit te buka dhe drithërat me 1.1 për qind, mishi me 1.4 për qind, pemët me 3 për qind, sheqeri, reçeli, mjalti, çokollata e ëmbëlsirat me 2.2 për qind, kafja, çaji dhe kakao me 2.3 për qind, pijet alkoolike me 1.5 për qind.

Lëndët djegëse të ngurta, dru zjarri, pelet me 60 për qind, mallrat dhe shërbimet për mirëmbajtjen e zakonshme të ekonomisë shtëpiake me 1.8 për qind, karburantet dhe lubrifikantët për pajisjet e transportit personal me 15.4 për qind, shërbimet për transport me 5.9 për qind, pushime të organizuara me 4.1 për qind, shërbimet hoteliere me 2.3 për qind, kujdesi personal me 1.5 për qind si dhe disa nëngrupe tjera me një ndikim të vogël, e që të gjitha patën një ndikim të përbashkët prej 1.9 për qind në IHÇK”, thuhet në raport.

Go to TOP