Kuvendi miraton tri projektligje, dështon ai për Vetëqeverisje Lokale

Në vazhdimin e seancës plenare të Kuvendit të Kosovës, deputetët kanë miratuar në parim Projektligjin për ndryshimet dhe plotësimet e ligjit për tokën bujqësore, Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për kimikate dhe Projektligjin për ushqim.

Në mungesë të deputetëve nga komuniteti serb, Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Vetëqeverisjen Lokale nuk është hedhur në votim.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca theksoi se për këtë projektligj kërkohet që patjetër të votohet edhe prej deputetëve serbë.

“Lidhur me këto të mbeturat, e kemi pasur votimin në parim Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit për Vetëqeverisjen Lokale, mirëpo ky është ligj i karakterit vital, që quhet në Republikën e Kosovës. Prandaj, patjetër duhet të votohet edhe prej deputetëve të komunitetit serb, kështu që meqenëse ata nuk janë të pranishëm e lëmë këtë projektligj”, theksoi ai.

Fillimisht për votimin e tri projektligjeve të cekura më lartë nuk pati kuorum, dhe ato u votuan në tentativën e tretë.

Për këtë kryeparlamentari Konjufca, kërkoi nga deputetët e mazhorancës që mos të tallën.

“Sërish nuk kemi kuorum, mazhoranca mos bëni hajgare. Vazhdojmë me projektligje të tjera”, tha Konjufca. 

Go to TOP