Kush është Kryeministër? – JO, por Kush janë MINISTRAT dhe deputetët?
Shkruan: Andi ShKODRA
Kur klasikët e filozofisë politike qysh para erës sonë duke analizuar qeverisjen ideale, kishin hapur temat mbi “demokracinë”, ideologët kyç të këtyre teorive, demokracinë e shihnin si të rrezikshme. Ata në mes rreziqeve tjera, si rrezik demokracinë e shihnin edhe për shkakun se demokracia sipas tyre u jep mundësinë e udhëheqjes edhe të paditurve. Madje qysh atëbotë përshkruhej edhe roli i udhëheqësit, por edhe rreziku nga ndonjë udhëheqës i paditur që mundë dhe di të flasë bukur, por në fakt është mashtrues.
E sot, mijëra vite më pas, te ne në Kosovë në shumicën e diskutimeve pyetja më e shpeshtë është kush mund të jetë kryeministri. Ne na duket sikur kryeministri është individi, lideri që qëndron në krye të qeverisë dhe mban përgjegjësinë për fatin e një qeverie apo kombi. Por një nga kryeministrat më në zë, i cili madje në Luftën e Dytë Botërore kishte udhëhequr luftën e aleatëve kundër nazistëve, forcën e liderit qeverisës e shihte bazuar në ekipën e tij. Ai pohonte që “Lideri është vetëm aq i fortë aq sa ekipi që e rrethon.” Pra, edhe pse dihet që kryeministri shihet si figura që përfaqëson dhe udhëheq qeverinë, megjithatë, në praktikë, në qeveritë demokratike ku autoritarizmi dhe autokracia nuk ka vend, puna reale dhe ndikimi i politikave zbatohet nga ministrat që mbulojnë sektorë të ndryshëm të qeverisjes. Kryeministri është më shumë një figurë koordinuese, një lider që udhëheq dhe formëson drejtimin politik të vendit. Por është e rëndësishme të kuptojmë se në një sistem qeverisjeje funksionale, kryeministri nuk është vetëm. E kjo qon domosdoshmërisht në pyetjen se pse gjithmonë duhet të përqendrohemi te një njeri, kur udhëheqja e vërtetë dhe rezultatet që ne kërkojmë varen nga një grup më i madh që e përbëjnë ministrat? A duhet të pyesim gjithmonë “Kush është kryeministër?”, apo duhet të fillojmë të pyesim edhe: “Kush do të emërohet ministër? A kanë ata persona dijen, potencialin dhe kapacitetin e duhur”. Krejt kjo pasi që emrat e personave të kabinetit eventual qeverisës, do mund të orientonin edhe votuesin për kualitetin qeverisës. Krejt kjo pasi që sikur që pamë kryeministri apo kryeministrja mbështetet tek ekipi i ministrave për të realizuar politikat dhe reformat e premtuara. Këtë e shpjegon filozofja politike Hannah Arendt kur thekson se “fuqia qëndron te institucionet kolektive”. Për Hannah Arendt-in, një lider është vetëm një shprehje e një sistemi më të gjerë, ku institucione dhe individë të ndryshëm, si ministrat, luajnë rolin kyç në zbatimin dhe suksesin e politikave. Pra, një vend nuk udhëhiqet vetëm nga një individ, por nga një ekip i tërë ministrash që kanë kompetenca specifike dhe përgjegjësi të qarta.
Nisur nga ky fakt, mendoj që tani që me daljen e listave të deputetëve, në vend që të pyesim vazhdimisht për kryeministrin, ndoshta është koha të ndryshojmë qasjen tonë dhe të shtrojmë pyetje të tjera më të rëndësishme për zhvillimin e vendit. Pyetjet që duhet të shqyrtojmë janë: “Kush mund të jenë ministrat që do të bëjnë ndryshimin?”, “Cilat janë prioritetet e tyre?”, “Cilat janë politikat që ata do të implementojnë për të përmirësuar sektorët që mbulojnë?” “A janë këta personat që kanë dijen dhe kompetencën apo janë thjesht sepse janë biri apo bija e dikujt?”. Këto pyetje janë thelbësore, sepse përmes përgjigjeve të tyre do të mund të kuptojmë se cilët liderë do të kenë fuqinë të përballen me sfidat e mëdha dhe të sjellin rezultate konkrete. Roli i ministrave nuk është më një çështje dytësore, por një faktor kyç për të formësuar të ardhmen e vendit tonë. Duke u fokusuar te ata, mund të fillojmë të vlerësojmë jo vetëm premtimet politike, por edhe realizimet dhe vizionin që këta individë sjellin në skenën politike. Vetëm atëherë do të kemi një qeverisje që me të vërtetë reflekton aspiratat e një kombi përparimtar dhe të qëndrueshëm.

Në shumë vende të botës, ministrat kanë qenë faktorë kyç për suksesin e qeverive. Për shembull, në Gjermaninë moderne, ministrat kanë luajtur rol të rëndësishëm në hartimin e politikave që kanë ndihmuar ekonominë të lulëzojë. Shembulli i ministrit të Ekonomisë në vitet e pasluftës, Ludwig Erhard, është një shembull i përkryer i një ministri që kishte një vizion të qartë dhe që arriti të ndryshojë kursin e një vendi.
Në vendin tonë, ministrat nuk do duhej që thjesht të jenë administratorë të përgjegjësive të caktuara; ata duhej të jenë liderët strategjikë të sektorëve që përcaktojnë drejtimin dhe mirëqenien e kombit. Ata kanë në dorë jo vetëm zbatimin e politikave, por edhe formësimin e vizionit për të ardhmen. Ministrat janë burimi ku ngjizet realiteti i çdo vendimi politik, dhe nga dija dhe kompetenca e tyre si dhe mënyra se si ata veprojnë, varet nëse vendi jonë do të lëvizë përpara apo do të ngecë në po të njëjtin vend. Një ministër i suksesshëm nuk është thjesht ai që përmbush me saktësi detyrat ditore të mandatit të tij, por ai që ka një vizion të gjerë dhe të thellë për të ardhmen. Ministrat me kabinetet e tyre duhet të kenë aftësinë jo vetëm për të menaxhuar situatat e përditshme, por për të projektuar politika që krijojnë një ndikim të qëndrueshëm dhe afatgjatë. Ata janë arkitektët e infrastrukturës të së nesërmes, projektuesit e një sistemi arsimor që do të formojë brezin e ardhshëm, dhe mbikëqyrësit e politikave ekonomike që do të sigurojnë prosperitet për vendin.
Andaj përfundimisht mendoj që tani është koha që deputetët të votohen bazuar në biografitë e tyre dhe në meritokraci, bazuar në kompetencën dhe dijen e tyre, e njëjtë do të duhej të ishin të përzgjedhur edhe ministrat. Nuk e besoj që qytetari është i interesuar ta votojë një deputet me diplomë të marrë diku e as të ketë një ministër të tillë. Andaj, të i presim listat, të cilat me siguri se do na orientojnë për kualitetin qeverisës! Të shohim se a do kemi shansin që si qytetarë të kemi një legjislativ më kualitativ se ai i fundit, a do të kemi shansin që të kemi deputet të cilët edhe e kuptojnë atë që e lexojnë, por edhe atë që e thuan.
Autori është student në Fakultetin e Shkencave Politike në UBT dhe kryetar i organizatës “Fuqia e Bashkimit Rinor” në Gjilan.
