Kurti, vetë i shtati në Paris

Forumi i Paqes, që mbahet të enjten në Paris, ndoshta mund ta bëjë bashkë për një takim, kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, nën udhëheqjen e presidentit të Francës, Emmanuel Macron.

Pjesëmarrjen në këtë forum e ka konfirmuar edhe vetë kryeministri Kurti, i cili ka thënë se në Paris ndoshta mund të ketë edhe një takim me presidentin Vuçiq.
Kurti ka thënë se me vete e ka marrë ekipin prej gjashtë anëtarësh nga Zyra e Kryeministrit dhe tema diskutimi në takimin e mundshëm Kurti-Vuçiq priten të jenë situata e krijuar në veri të vendit si dhe propozimi franko-gjerman.

“Nesër, pra të enjten, herët në mëngjes, do të nisem për Paris për të marrë pjesë në Forumin e Paqes, bashkë me gruan time Ritën, e me ftesë të presidentit francez Emmanuel Macron. Përveç punimeve dhe darkës përgjatë këtij forumi prestigjioz, ndoshta mund të ketë edhe një takim trilateral me presidentin e Serbisë, i cili po ashtu është ftuar atje. Unë me vete da të kem ekipin tim gjashtë-anëtarësh nga kryeministria”, ka thënë Kurti në një video të publikuar në Facebook të mërkurën mbrëma.

Gjithashtu, Kurti bërë të ditur se në tavolinë janë dy propozime.

“Ai imi për kornizën e përgjithshme të marrëveshjes, i prezantuar në takimin e 18 gushtit 2022 në Bruksel, si dhe propozimi franko-gjerman, që e ka mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian, i prezantuar nga emisarët Jens Plötner dhe Emmanuel Bonne”, ka thënë Kurti.

Në Paris, përveç Kurtit, pritet të jetë e pranishme edhe presidentja e vendit, Vjosa Osmani.

Kështu ka njoftuar Zyra e Presidentes. Në njoftimin e saj thuhet se presidentja Osmani në Paris do të shkojë bashkë me zotërinë e parë, Prindon Sadriu.

Go to TOP