Kurti: Vepra e heronjve Afrim Zhitia dhe Fahri Fazliu është amanet politik
Me rastin e 35 vjetorit të rënies së dëshmorëve të kombit, Afrim Zhitia dhe Fahri Fazliu sot nën patronatin e Qeverisë së Kosovës është mbajtur akademi përkujtimore. Kryeministri, Albin Kurti tha se pesha e veprës së çmuar të heronjve të popullit Afrim Zhitia dhe Fahri Fazliu është një amanet politik për të gjithë.
Në fjalën e tij në këtë akademi, Kurti ka tha se Afrim Zhitia dhe Fahri Fazliu janë dy personazhe historike të së njëjtës dramë.
“Ata kanë qenë dy veprimtarë të shquar politikë të viteve të 80-ta. Të dy janë vrarë së bashku 35 vite më parë. Jeta dhe vepra e tyre duket si një vepër e shkruar në bashkautorësi , por në të vërtetë Afrimi dhe Fahriu u janë dy personazhe historike të së njëjtës dramë që ndonëse hynë në të njëjtën vepër me demonstratat e vitit 81, ata shfaqen në një skenë të përbashkët në shtator në vitin 1989 pasi ata ishin njohur vetëm gjashtë javët e fundit të jetës së tyre. Por, mbase kështu e ka puna e idealit përbashkues”, tha ai.
Kryeministri tha se Afrimi u angazhua intensivisht në organizimin e protestave dhe demonstratave, kohë kjo në të cilën u njohën me Fahri Fazliun me të cilin do të përjetësoheshin në historinë e Kosovës të dy së bashku përgjithmonë.
“Që nga viti 1982 Fahriu arriti që për një kohët të shkurtër të njihej me veprimtarë dhe ish të burgosur politik duke krijuar një rrjet njerëzish që për kohen do të thoshte më shumë mundësi mobilizimi. Ky rrjet njohjesh u kthye nga Fahriu në armatë njerëzish për organizimin e demonstratave ne vitin 1988-99”, tha ai.
Tutje Kurti theksoi se gjithçka çka kishin vepruar Fahriu dhe Afrimi u sprovua me dy nëntor 1989 kur të dy rezistuan të armatosur përballë njësive të policisë derisa ranë dëshmorë.
“Me aktin e tyre të rezistencës, Afrimi dhe Fahriu e përkryen veprën e tyre politike në një shembull të përbashkët si dy shokë të idealit, dy dëshmorë të kombit dhe dy heronj të popullit tonë liridashës. Andaj sot duke kujtuar Fahriun dhe Afrimin përmes protokollit shtetëror të qeverisë së Kosovës , ne institucionalizojmë edhe më fuqishëm veprën e tyre në qenien dhe identitetin e shteti tone të pavarur dhe sovran.Si kryeministër e ndiej gjithë peshën aq të rënd dhe të çmuar të veprës së heronjve të popullit Afrim Zhitia dhe Fahri Fazliu e ardhur si një amanet politik për të gjithë ne”, nënvizoi ai .
Ndërkaq motra e heroit, Afrim Zhitia, Sadete Zhitia, tha se këto data dhimbjesh janë ditë të shenjta , ditë dashuria dhe reflektimi.
Ndërsa, nipi i heroit Fahri Fazliu , Fahri Fazliu i ri tha se si familjarë ndihen të gëzuar kur shohin që 35 vite pas rënies së Afrimit dhe Fahriut kujtimi për ta vazhdon të nderohet nga institucionet dhe nga populli shqiptar.