Kurti vendimin për targat e quan “qartësim”, jo shtyrje: Sundimi i ligjit, paqja e siguria shkojnë bashkë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti nuk e ka quajtur shtyrje vendimin e sotshëm të qeverisë për targat. Ai ka thënë se në mbledhjen e sotshme të Qeverisë, u qartësua zbatimi i vendimit për targa.

Kurti nuk e ka adresuar ende një reagim të Departamentit amerikan të Shtetit, që u shpreh i zhgënjyer me Qeverinë e Kosovës, pas kërkesave të vazhdueshme për shtyrje dhjetëmujore.

Kurti ka thënë se vendimi për targa do të ndahet në tre etapa dhe shkallë.

“Në mbledhjen e dytë të Qeverisë këtë javë, qartësuam zbatimin e vendimit për targa, që nis me 1 nëntor.  I ndarë në tre etapa dhe shkallë, zbatimi fillimisht nisë me masën e dhënies së vërejtjes deri më 21 nëntor. Pastaj me masën e gjobitjes nga 21 nëntor 2022 deri më 21 janar 2023. Nga 21 janari 2023 deri më 21 prill 2023 do të vendosen targat provuese për veturat me targa ilegale. Ndërkaq pas datës 21 prill të vitit 2023, nuk do të lejohet qarkullimi i veturave me targa ilegale”, ka shkruar Kurti në Facebook.

Kryeministri ka thënë se duke vepruar në këtë mënyrë është treguar vendosmëri për zbatimin e vendimeve dhe përkushtim e kontribut në ruajtjen e paqes dhe sigurisë në vend.

“Në këtë mënyrë kemi treguar vendosmërinë për zbatimin e vendimeve tona dhe përkushtimin e kontributin tonë në ruajtjen e paqes dhe sigurisë në vend, e që ishte edhe brengë e partnerëve e miqve tanë ndërkombëtarë. Jemi të bindur se sundimi i rendit e ligjit dhe paqja e siguria shkojnë e mirëmbahen bashkë”, ka shkruar në fund ai. 

Go to TOP