Kurti takoi drejtuesit e kompanive nga fusha e energjisë në Athinë
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka takuar në Athinë drejtuesit e kompanive nga fusha e energjisë, ku shprehu synimin e Qeverisë për të inkurajuar investimet private dhe për të krijuar një klimë të favorshme investimi, të cilat edhe janë shtytës kyçë për rritjen ekonomike.
Kurti theksoi elementet që e bëjnë Kosovën një destinacion tërheqës për investitorët, sikurse afërsia e saj me tregjet evropiane, fuqia punëtore e aftë dhe një kuadër i fuqishëm rregullator. Veçanërisht u theksuan mundësitë e investimit në sektorin e energjisë, ku kryeministri i njoftoi me planin 10- vjeçar të Qeverisë për diversikimin e resurseve energjetike me ndërtimin e 1,200MW kapacitete të reja gjeneruese nga teknologjia solare dhe e erës, ku e theksoi ankandin aktual të shpallur nga Ministria e Ekonomisë për ndërtimin e 100MW nga teknologjia solare, projekt ky i cili hap rrugën projekteve të mëtejshme të energjisë së ripërtëritshme në Kosovë, si ankandin e erës prej 150MW në lokacione jo-specifike që pritet të shpallet vitin e ardhshëm, si pjesë e hapave të ndërmarrë nga Qeveria në arritjen e objektivave të përcaktuara në Strategjinë e Energjisë të Republikës së Kosovës.
Tutje bëhet e ditur se i pari i qeverisë veçoi progresin drejt zbatimit të Programit Kompakt në kuadër të marrëveshjes së nënshkruar ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të përfaqësuara nga Korporata e Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC), për ndërtimin e baterive akumuluese me kapacitet prej 170MW që do të jenë komplementare me zhvillimin e kapaciteteve të reja nga burimet e ripërtëritshme.
