Kurti takohet me Borrellin në Paris

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është takuar me Përfaqësuesin e Lartë të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, në Paris. Qendra televizive e informacionit e BE-së, Europe By Satellite, ka publikuar pamje nga ky takim të premten në mëngjes.

Ky takim ishte paralajmëruar të enjten nga zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, përmes një postimi në Twitter. Ai bëri të ditur se Borrelli do të ketë takim gjatë të premtes edhe me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiqin.

Stano tha se këto takime janë “tentime për të ndihmuar në zbutjen e përshkallëzimit të situatës, qetësimin e tensioneve aktuale dhe avancimin e dialogut të Brukselit”.

Kurti dhe Vuçiqi ndodhen në Paris për të marrë pjesë në Forumin e Paqes. Aty po janë edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, dhe kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë më 10 nëntor se nuk beson se do të takohet me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, në Paris.

Gjatë të enjtes, Kurti dhe Osmani u takuan me kryeministrin francez, Emmanuel Macron. Në komunikatën e përbashkët të lëshuar nga Presidenca dhe Qeveria e Kosovës u tha se ishte diskutuar edhe për planin franko-gjerman.

“Propozimi franko-gjerman shërben si bazë e mirë për diskutime të mëtejshme [në dialogun Kosovë Serbi]”, thuhej në komunikatë.

Kancelari gjerman, Olaf Scholz, e kishte konfirmuar më 3 nëntor ekzistimin e planit franko-gjerman, që raportohet se është një propozim për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve midis Kosovës dhe Serbisë.

Kurti, në një konferencë për media më 7 nëntor, tha se Vuçiqi po i përdorte pjesëtarët e strukturave ilegale në veri për destabilizim pasi kishte refuzuar planin franko-gjerman.

Kriza në veri të Kosovës, ku pjesëtarë të komunitetit serb janë larguar nga institucionet kosovare, erdhi pasi nisi zbatimi i vendimit të qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e makinave me targa të paligjshme, më 1 nëntor. Kosova kërkon që ato të zëvendësohen me targa RKS, apo Republika e Kosovës.

Ky plan parashihet të zbatohet në tri faza: e para, qortimi i shoferëve; e dyta, dënimi i shoferëve me 150 euro gjobë, dhe e treta, shpërndarja e targave provuese. Qeveria nuk ka pranuar të shtyjë datën e nisjes të zbatimit, përkundër insistimit nga komuniteti ndërkombëtar.

Ndërsa, në takimin e tij të së enjtes me presidentin Macron, Vuçiqi tha se i ka treguar homologut të tij francez se cilat janë kushtet për kthimin e serbëve në institucionet e Kosovës, ndërsa iu referua edhe çështjes së Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Kosova dhe Serbia arritën marrëveshje për krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në vitin 2013. Më 2015, palët nënshkruan Marrëveshjen mbi parimet për formimin e këtij asociacioni. Po atë vit, Gjykata Kushtetuese konstatuan se disa pika të kësaj marrëveshjeje nuk janë në harmoni me frymën kushtetuese dhe se ato duhet të harmonizohen. Por, Kurti ka deklaruar disa herë se është kundër formimit të ndonjë asociacioni njëetnik.

Go to TOP