Kurti shpalos projekt- buxhetin në Kuvend me akuza për opozitën dhe Gjykatën Kushtetuese

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, prezantoi sot në Kuvend projektbuxhetin për vitin 2025, që pritet të votohet më vonë gjatë ditës. Ai theksoi se është i pari kryeministër që paraqet buxhetin e katërt të mandatit të tij.

“Buxheti për vitin 2025 është projektuar të jetë 3.6 miliardë euro, një rritje prej 9 për qind krahasuar me buxhetin e vitit 2024 dhe 60 për qind më i lartë sesa ai i vitit 2020. Për të arritur këtë nivel, përballuam sfida të shumta globale dhe të brendshme, por ndryshe nga qeveritë e kaluara, ne e kemi orientuar buxhetin aty ku kthimi është më i lartë – te qytetarët. Vit pas viti, buxheti është rritur pa ndryshime në politikat tatimore, sepse investimi te qytetarët tanë ka sjellë rritje të qëndrueshme,” tha Kurti.

Kurti shtoi se buxheti për paga dhe shtesa për vitin 2025 është 13.85 për qind më i lartë krahasuar me vitin 2024, duke arritur në 111.5 milionë euro. Ai gjithashtu theksoi se buxheti për mallra dhe shërbime, përfshirë shërbimet komunale, është rritur me 3.2 për qind, ndërsa ai për subvencione dhe transfere është rritur me 8.75 për qind, përfshirë masat për pensionet, shtesat për fëmijë dhe rimëkëmbjen ekonomike. Për investime kapitale, buxheti është rritur me 8.3 për qind.

Sipas Kurtit, Produkti i Brendshëm Bruto (PBB) këtë vit pritet të kalojë për herë të parë shifrën prej 10 miliardë eurosh dhe vitin e ardhshëm të arrijë mbi 11 miliardë euro. “PBB-ja sivjet është afër shtatë herë më e lartë se në vitin 2000 dhe afër tre herë më e lartë se në vitin 2008, viti i shpalljes së pavarësisë,” theksoi ai.

Kurti foli edhe për Ligjin për Çmimet Tavan, i cili u rrëzua nga Gjykata Kushtetuese, si dhe për Ligjin për Pagën Minimale. Ai kritikoi opozitën dhe Gjykatën Kushtetuese për bllokimin dhe vonesat në zbatimin e këtyre ligjeve.

Go to TOP