Kurti shmang pyetjen për mandatarin
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, nuk ka treguar se kur do t’i dorëzohet presidentes Vjosa Osmani emri i mandatarit për kryeministër.
Në nisjen e punimeve për stadiumin e futbollit në Suharekë, Kurti u pyet nga gazetarët për kohën e dërgimit të propozimit, por u përgjigj shkurt: “Ato janë gjëra të Prishtinës, atje i diskutojmë ato. Këtu jemi për investimin me 11 milionë euro në stadiumin e futbollit në Suharekë.”
Ndërkohë, nënkryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, ka bërë të ditur se do të mbahet mbledhja e këshillit të përgjithshëm ku do të votohet mandatar. Sipas saj, kjo mbledhje do të mbahet “jashtëzakonisht dhe shpejt për shkak të rrethanave”. Pas mbledhjes, emri i mandatarit do t’i dërgohet presidentes.
Dje ka dështuar mbledhja e kryesisë së Kuvendit, e thirrur nga kryeparlamentari Dimal Basha, për shkak të mungesës së përfaqësuesve të PDK-së dhe LDK-së.
Dimal Basha u zgjodh kryetar i Kuvendit nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, ndërsa kryesia prej pesë anëtarësh nuk u formua plotësisht. Nënkryetarë u zgjodhën Albulena Haxhiu (VV), Vlora Çitaku (PDK), Kujtim Shala (LDK) dhe Emilja Rexhepi (komunitete jo shumicë serbe). Pasi nënkryetari i pestë nga komuniteti serb nuk u zgjodh, Basha deklaroi se të gjitha opsionet ishin konsumuar dhe se seanca konstituive ishte mbyllur.
