Kurti: Republikën do ta mbrojmë me forcë dhe vendosmëri

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka folur sërish për situatën në veri të vendit, duke thënë se po bashkëpunojnë me KFOR-in për të zgjidhur situatën sa më shpejt dhe në mënyrë paqësore.

Përmes një reagimi në Twitter, Kurti ka shkruar se “bandave kriminale në veri të Kosovës, u mungon edhe preteksti më i dobët për vendosjen e barrikadave dhe sulmeve të dhunshme ndaj Policisë së Kosovës”.

“Me zgjidhjen e çështjes së targave dhe vonesën e zgjedhjeve, bandave kriminale në veri të Kosovës u mungon edhe preteksti më i dobët për barrikada dhe sulme të dhunshme ndaj Policisë së Kosovës. Në bashkëpunim me KFOR-in, ne po punojmë për të adresuar situatën shpejt dhe në mënyrë paqësore”, ka shkruar kryeministri Kurti.

Ai tutje ka thënë se presidenti dhe kryeministri i Serbisë kanë kërcënuar edhe me agresion ushtarak duke kërkuar që të futet ushtria serbe në Kosovë.

Kurti ka thënë se Kosova nuk kërkon konflikt, por dialog dhe paqe.

“Presidenti dhe kryeministri i Serbisë kanë kërcënuar edhe me agresion ushtarak, duke kërkuar që ushtria serbe të kthehet në territorin tonë. Ne nuk kërkojmë konflikt, por dialog dhe paqe. Por më lejoni të jem i qartë: Republika e Kosovës do të mbrohet me forcë dhe vendosmëri”, ka shkruar Kurti. /Kosova.info/

Go to TOP