Kurti priti arkitektin e Bibliotekës Kombëtare, Andrija Mutnjakoviq

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i shoqëruar dhe nga ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, priti në takim arkitektin e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, Andrija Mutnjakoviq.

Gjersa dje ishin bashkë prezent në ceremoninë solemne me rastin e 80-vjetorit të themelimit të Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, sot diskutuan mbi trashëgiminë dhe rëndësinë e Bibliotekës.

“Në takim u trajtua dhe nevoja e rëndësia për renovimin e Bibliotekës dhe hartimit të projektit arkitektonik, proces në të cilin ka qenë i përfshirë dhe është konsultuar edhe arkitekti e akademiku kroat, si ideues i këtij objekti”, thuhet në njoftimin e Qeverisë.

Më tej thuhet se kryeministri foli dhe rreth investimeve dhe vëmendjes që qeveria ia ka kushtuar jo vetëm në ruajtjen e trashëgimisë dhe memories kolektive që zotëron biblioteka, por edhe digjitalizimit të kësaj trashëgimie.

Kryeministri Kurti shprehu mirënjohjen ndaj Mutnjakoviq për kontributin e tij si dhe prezencën në Kosovë me rastin e shënimit të 80-vjetorit të Bibliotekës Kombëtare. /Kosova.info/

Go to TOP