Kurti përkujton masakrën e Likoshanit dhe Qirezit: Padrejtësia e dyfishtë ndaj viktimave vazhdon

Në 27-vjetorin e masakrës së Likoshanit dhe Qirezit, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka përkujtuar viktimat e sulmit brutal të forcave serbe më 28 shkurt 1998 duke theksuar se ende nuk është vendosur drejtësi për këtë krim.

Kurti kujtoi se gjatë këtij sulmi, që zgjati 28 orë me artileri të rëndë, u vranë 21 civilë shqiptarë të paarmatosur, mes tyre gra, fëmijë dhe burra, ndërsa shumë dëshmitarë kanë ndërruar jetë pa parë drejtësi.

“Pas çlirimit nuk ka pasur drejtësi as nga prokuroria ndërkombëtare, e as nga institucionet tona pas shpalljes së pavarësisë. Kjo është padrejtësi e dyfishtë për familjet e viktimave,” deklaroi Kurti.

Ai theksoi se kujtimi për dëshmorët dhe martirët e Likoshanit dhe Qirezit është i përjetshëm, ndërsa bëri thirrje për ndëshkimin e përgjegjësve të kësaj masakre.

“Lavdi dëshmorëve dhe martirëve të Likoshanit dhe Qirezit! I përjetshëm qoftë kujtimi për ta!”, përmbylli Kurti. /Kosova.info/


Go to TOP