Kurti për Rexhep Qosjen: Vepra e tij nis sot jetën pa autorin
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka reaguar pas ndarjes nga jeta të akademikut Rexhep Qosja duke e cilësuar humbjen e tij si të madhe për kombin shqiptar.
Kurti theksoi se vepra e Qosjes do të jetojë shumë më gjatë se shekulli i tij duke nisur një “jetë të re” pikërisht nga dita e sotme, tashmë pa autorin. Ai u shpreh se dhjetëra librat e akademikut do të marrin një kuptim të ri dhe do të lexohen nga gjenerata të reja duke shërbyer si burim mësimi dhe frymëzimi për të ardhmen.
Sipas tij, Qosja ishte një ndër njohësit më të thellë dhe afirmuesit më të mëdhenj të rilindësve shqiptarë, ndërsa kontributi i tij shtrihej në shumë fusha – nga gjuhësia dhe kritika letrare, te historia, politika dhe mendimi shoqëror.
“Jetën e kaloi midis librave, jo pak prej të cilëve i shkroi vetë duke u bërë pjesë e bibliotekës së secilit prej nesh”, u shpreh Kurti.
Ai shtoi se Rexhep Qosja do të mbahet mend si një figurë e paepur, që kontribuoi jashtëzakonisht për gjuhën dhe kombin shqiptar, pavarësisht sfidave dhe sulmeve që hasi gjatë jetës së tij.
Akademiku ndërroi jetë në prag të mbushjes së nëntë dekadave jetë duke lënë pas një trashëgimi të pasur intelektuale që do të vazhdojë të jetojë ndër breza. /Kosova.info/
