Kurti: Nuk mund të ketë “Ballkan të Hapur”, nëse nuk janë të përfshira gjashtë shtetet

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, tha se nuk mund të ketë “Ballkan të Hapur”, nëse nuk janë të përfshira gjashtë shtetet e Ballkanit.

Këto komente Kurti i bëri sot, ku së bashku me ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, morën pjesë në lansimin e shërbimeve të reja elektronike në portalin e-Kosova, që përfshijnë certifikatën e lindjes, ekstraktin e lindjes, certifikatën e martesës dhe certifikatën e vdekjes, si dhe shërbimin për vazhdimin e regjistrimit të veturës.

Kurti tutje tha se gatishmëria dhe interesimi për bashkëpunim rajonal shprehet në “Mbështetjen e Kosovës për procesin e Berlinit”.

“Në këtë bashkëpunim ne duam të kemi barazi të palëve që e gjejmë në procesin e Berlinit. Nuk besojmë në vetëmjaftueshmërinë e Ballkanit. Ballkani nuk përbëhet nga 6 shtete në përgjithësi. Ne kemi shtete që nuk e kanë dënuar dhe nuk kanë dhënë sanksione ndaj Rusisë, për luftën në Ukrainë. Kemi shtete si puna e fqinjit tonë veriore që është nga ana ruse. Për të pasur ‘Ballkan të Hapur’ Serbia duhet të hapet me Kosovën. Ju e  dini që Serbia nuk e njeh pasaportën e Kosovës dhe as kartën e identitetit. Për të pasur ‘Ballkan të  Hapur’ le të hapet Serbia për Kosovën dhe le të mbyllet për federatën Ruse. …Bashkimi Evropian është fati ynë, dhe Evropa është kontinenti ynë”, u shpreh ai.

I pyetur për deklaratën e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuciq, se mund t’i japin Kosovës energji elektrike, në këmbim për thëngjill, Kurti tha: “Presidenti i Serbisë bën mirë që të orientohet në introspeksionin e shoqërisë dhe shtetit atje dhe të heq dorë nga mohimi i masakrës së Reçakut. Përderisa nuk pranojnë Kosovën e pavarur i mohojnë dhe krimet  e Millosheviqit. Serbia ta ketë një vetëkritik që të kemi paqe të qëndrueshme”.

Go to TOP