Kurti në mbyllje të fushatës së VV-së: Prishtina duhet të bëhet zonë metropolitane – Çeku: Të gjitha projektet do t’i nis vetë

Lëvizja Vetëvendosje ka përmbyllur sonte fushatën zgjedhore për zgjedhjet lokale të 12 tetorit, me një tubim në Prishtinë ku prezantoi vizionin për një kryeqytet më funksional, me kandidatin për kryetar Hajrulla Çekun në qendër të programit.

Mandatari për formimin e qeverisë dhe kryetari i VV-së, Albin Kurti, tha se Prishtina ka nevojë për një kryetar me vizion të qartë dhe projekte konkrete për zhvillim. Ai theksoi se zgjidhja për funksionalizimin e plotë të kryeqytetit është krijimi i zonës metropolitane që do ta lidhë Prishtinën me komunat përreth.

“Neve na duhet një qytet që funksionon, prandaj Hajra jonë është hairi juaj, qytetarë të dashur të Prishtinës. Hajrulla Çeku është profesionist i shquar, dhe tash është koha që ministrin e Kulturës ta bëjmë kryetar të kryeqytetit. Prishtina duhet të integrohet me komunat fqinje për të krijuar zonën metropolitane – garancia për këtë është Hajrulla Çeku”, u shpreh Kurti.

Ai shtoi se Prishtina ka stagnuar gjatë katër vjetëve të fundit për shkak të mungesës së ideve dhe projekteve zhvillimore duke kërkuar votën e qytetarëve për ndryshim më 12 tetor.

Në fjalën e tij, kandidati për kryetar të Prishtinës, Hajrulla Çeku, tha se qytetarët janë për ndryshim dhe se gjatë mandatit të tij do t’i nisë vetë të gjitha punët dhe projektet për kryeqytetin.

“Buxheti i Prishtinës për vitin e ardhshëm do të jetë 156 milionë euro dhe të gjitha punët e projektet do t’i nis vetë. Do të kërkoj bashkëpunim me qeverinë për të përfunduar periudhën e bllokadave që ka shkaktuar kryetari aktual. Prishtina ka vend për secilin, mund të fitojmë të gjithë – unë kam vetëm dashuri për të gjithë”, deklaroi Çeku.

Ai premtoi përmirësim të menaxhimit të mbeturinave, furnizim të qëndrueshëm me ujë të pijshëm dhe një administratë komunale më efikase e të barabartë për të gjithë qytetarët.

Në garë për kryetar të Prishtinës janë edhe Përparim Rama (LDK), Uran Ismaili (PDK), Bekë Berisha (AAK) dhe Besa Shahini (PSD).

Zgjedhjet lokale në Kosovë mbahen të dielën, më 12 tetor, ku të drejtë vote kanë 2 milionë e 69 mijë e 98 qytetarë, prej të cilëve 43 mijë e 993 janë votues jashtë vendit.

Procesi zgjedhor do të zhvillohet në 938 qendra votimi me gjithsej 2,625 vendvotime, ndërsa Komisioni Qendror Zgjedhor dhe Policia e Kosovës kanë bërë të gjitha përgatitjet për mbarëvajtjen e tij.

Fushata njëmujore zgjedhore është zhvilluar kryesisht në mënyrë të qetë në gjithë vendin. /Kosova.info/


Go to TOP