Kurti: Në katër komunat në veri janë mbështetur për punësim 263 persona
Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, përmes një postimi në ‘Facebook’, ka bërë të ditur se shtatë muaj nga fillimi i skemës, deri më 30 gusht në katër komunat në veri kanë ndërmjetësuar dhe mbështetur punësimin e 263 personave, ndërkaq të deklaruara janë edhe 428 vende të lira të punës.
“Skema e masës 1.8 “Qeveria për Familjet” u prezantua fillimisht në korrik të vitit 2022, e për të cilën u ndanë 10 milionë euro. Ndërkohë në muajin shkurt të këtij viti, përmes kësaj skeme, u lansua dhe masa e posaçme për përkrahjen e punësimit për qytetarët tanë në katër komunat në veri. Subvencionimi u caktua në nivelin 70% të pagës bruto për gjashtë muajt e parë deri në shumën 350 eurosh, e atë për 2000 vende pune. Shtatë muaj nga fillimi i skemës, deri më 30 gusht në katër komunat në veri kemi ndërmjetësuar dhe mbështetur punësimin e 263 personave, ndërkaq të deklaruara janë edhe 428 vende të lira të punës”, ka shkruar Kurti në ‘Facebook’.
Sipas tij, më shumë punësim, më shumë mirëqenie dhe më shumë integrim dhe ndërveprim mes komuniteteve.
“Ju ftoj të aplikoni në Zyrat e Punësimit në katër komunat në veri, e të shfrytëzoni çdo mundësi që paraqitet për fushë veprimtarinë tuaj. Republika e Kosovës është shtet i të gjithëve”, tha ai. /Kosova.info/