Kurti në 10-vjetorin e partneritetit Mercedes-Benz – Auto Kaçandolli: Shembull i suksesit dhe përkushtimit vendor
Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në shënimin e 10-vjetorit të partneritetit mes përfaqësisë së brendit gjerman të veturave Mercedes-Benz dhe kompanisë Auto Kaçandolli.
Në fjalën hyrëse, kryeministri Kurti tha se historia e Auto Kaçandollit fillon shumë më herët, si një punëtori modeste zanatlie për riparimin e veturave që në vitet 60-ta, dhe se sot nuk po festojmë vetëm 10 vjet përfaqësim të Mercedes-Benz, por edhe mbi 65 vite punë, përkushtim dhe sukses. “Një histori që nuk fillon me vetura luksoze, por me një çekiç, një copë llamarinë dhe me një ëndërr të madhe, që sot ka arritur të bëhet realitet përmes përfaqësimit zyrtar të një prej brendeve më të famshme në botë”, tha kryeministri.
Duke përmbledhur rrugëtimin frymëzues të kompanisë si vizion, punë e përkushtim, kryeministri Kurti tha se sot me 75 punëtorë, Auto Kaçandolli është shembulli më i mirë se si profesionalizmi dhe etika e punës mund ta ngrejnë një biznes kosovar në një nivel kaq të lartë dhe me standarde ndërkombëtare.
Në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës, ai i falënderoi përfaqësuesit e kompanisë për kontributin e tyre në ekonominë vendore dhe për imazhin e mirë që përfaqësojnë brenda dhe jashtë vendit tonë. /Kosova.info/
