Kurti me kryeministrin e Kroacisë duan bashkëpunim në raport me palët destabilizuese në Ballkan

Në takimin ndërmjet Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti, dhe Presidentit të  Republikës së Kroacisë, Zoran Milanoviq, u theksuan marrëdhëniet tradicionalisht të shkëlqyera dhe mundësitë për thellim të bashkëpunimit bilateral ndërmjet të dy republikave.

Kryeministri Kurti theksoi se Qeveria e Kosovës vlerëson mbështetjen e vazhdueshme të Kroacisë për Kosovën.

Duke u falënderuar për rritjen e numrit të Forcave të Armatosura Kroate në misionin e NATO-s në Kosovë, KFOR, kryeministri theksoi se një angazhim i tillë për paqen dhe stabilitetin në rajon është shumë i mirëpritur.  Ai veçoi bashkëpunimin ndërmjet ministrave të mbrojtjes, që punojnë ngushtë dhe kanë një plan dinamik për bashkëpunim. Vizita e parë e Ministrit të Mbrojtjes së Republikës së Kosovës jashtë vendit ishte pikërisht në Kroaci dhe ky është një demonstrim i vullnetit të Qeverisë për të bashkëpunuar më ngushtë.

“Qeveria e Kosovës vlerëson përkrahjen e Kroacisë në procesin e anëtarësimit të Kosovës në iniciativat dhe programet ndërkombëtare dhe rajonale, si Partneriteti për Paqe, A5 dhe RACVIAC, që është synimi ynë imediat”, tha kryeministri, duke theksuar që shpreson që Republika e Kroacisë do të vazhdojë përpjekjet në këtë drejtim, në mbështetje të përpjekjeve tona për anëtarësim.

“Destinacioni i Kosovës është i qartë, ne jemi të përkushtuar që t’i bashkohemi NATO-s dhe Bashkimit Evropian”, tha Kryeministri Kurti.

Duke biseduar për ballafaqimin me pandeminë COVID-19, kryeministri theksoi se Kosova është lider në Ballkanin Perëndimor, me mesataren më të lartë të qytetarëve të vaksinuar, me mbi 1.65 milionë doza të administruara dhe me rastet e reja më të ulëta të COVID-19.

Ai tha se Kosova refuzoi marrjen e ndonjë vaksine ruse ose kineze, duke pranuar vetëm vaksina të aprovuara nga Agjencia Evropiane e Mjekësisë (EMA) dhe Agjencia Federale e Barnave të ShBA-së.

Kryeministri Kurti theksoi se fitorja e tij në zgjedhjet e 14 shkurtit 2021, ka sjellë stabilitet dhe legjitimitet në institucionet tona, por edhe ka rikthyer edhe besimin tek qytetarët, i cili ishte shumë i ulët. Tani, prijësit e të tre institucioneve, Presidentja, Kryetari i Kuvendit dhe Kryeministri gëzojmë besimin e mbi 50% të qytetarëve të Republikës.

“Ekonomia jonë i është përgjigjur pozitivisht ndryshimeve demokratike dhe pas një tkurrjeje prej 3% në vitin 2020, tani presim një rritje të jashtëzakonshme ekonomike dyshifrore deri në fund të këtij viti”, tha kryeministri Kurti.

“Një nga synimet tona është edhe krijimi i një ambienti të favorshëm për të tërhequr kompanitë dhe investitorët potencialë të huaj në mënyrë që të krijojmë një ekonomi të qëndrueshme dhe të zhvillojmë vendin”, tha ai. Kryeministri theksoi se Kosova ka potencial të madh dhe premtues për zgjerimin e mëtejmë të  marrëdhënieve të mira tregtare tregtare ndërmjet Kosovës dhe Kroacisë.

U pajtuan se në frontin ekonomik, mund të punohet së bashku për të eksploruar fusha të reja të bashkëpunimit.

Presidenti Milanoviq e përgëzoi Kryeministrin e Kosovës për stabilitetin politik e institucional që e bën Kosovën partner të denjë për bashkëpunim. Ai u shpreh i impresionuar me rritjen ekonomike që ka shënuar Kosova gjatë këtij viti dhe rikonfirmoi mbështetjen e Republikës së Kroacisë për anëtarësimin e Republikës së Kosovës në Bashkimin Evropian dhe NATO.

Të dy u pajtuan për nevojën për bashkëpunim të ngushtë dhe koordinim të politikave rajonale por edhe të politikës së jashtme e sidomos ndaj qëllimeve destabilizuese të aktorëve të tretë.

Go to TOP