Kurti kujton masakrën e Likoshanit dhe Qirezit: Drejtësia për viktimat e gjenocidit të Serbisë është obligimi ynë

Kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka kujtuar 26 vjetorin e masakrës në Likoshan dhe Qirez ku u masakruan 20 civilë të paarmatosur shqiptarë.

Kurti tha se kjo shënoi masakrën e parë të Serbisë ndaj civilëve shqiptarë në luftën e fundit në Kosovës, ku sipas tij, përpara se të hynin brenda forcat policore, fshatrat Likoshan dhe Qirez u sulmuan nga forcat e armatosura të Serbisë me helikopterë dhe makina ushtarake.

“Sulmi i forcave speciale serbe, me artilëri të rëndë, vazhdoi për 28 orë. U masakruan 20 civilë të paarmatosur shqiptarë: Beqir Sejdiu (26), Nazmi Sejdiu (24), Bedri Sejdiu (24), Bekim Sejdiu (23), Ilir Nebihu (30), Rukie Nebihu (27 vjeç, në muajin e shtatë të shtatzënisë), Xhemshir Nebihu (33), Ibish Rama (38), Behram Fazliu (50), Ismail Behrami (30), Gani Ahmeti (46), Ahmet Ahmeti (50), Hamzë Ahmeti (44), Hilmi Ahmeti (44), Driton Ahmeti (23), Naim Ahmeti (22), Lumni Ahmeti (19), Shemsi Ahmeti (18), Basri Ahmeti (18) dhe Elhami Ahmeti (16)”.

“Atë ditë, Rexhep Rexhepi (63), Beqir Rexhepi (30), Muhamet Gjeli (70) dhe Naser Gjeli (38) ranë dëshmorë në luftimet ndërmjet UÇK-së dhe policisë serbe në Drenicë”, shkroi Kurti.

Më tej, kreu i qeverisë tha se 26 vjet më vonë, as urdhërdhënësit e as ekzekutorët e masakrës së Likoshanit dhe Qirezit nuk janë dënuar, ku sipas tij, drejtësia për të gjitha viktimat e gjenocidit të Serbisë në Kosovë “është obligimi ynë”.

“Flijimi i tyre është i monumentalizuar si sakrificë në themelet e Republikës së Kosovës, shtetit tonë që duhet dhe që po përpiqemi ta bëjmë çdo ditë e më të fortë. Lavdi dëshmorëve dhe martirëve të Likoshanit e Qirezit”, shkroi Kurti.

Go to TOP