Kurti kritikon “multi-milionerin ish-komandant” në Skënderaj
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, gjatë fushatës për zgjedhjet lokale në Skënderaj, kritikoi pushtetin aktual duke thënë se “nuk ka as program e as ide” dhe duke e cilësuar ish-komandantin dhe pasardhësin e tij si “multi-milioner që kënaqet kur i frikësohen njerëzit”. Kurti shtoi se pabarazitë në komunë janë devijim nga sakrificat e dëshmorëve dhe kontribuuesve për lirinë dhe shtetin e Kosovës.
Në të njëjtën kohë, Kurti prezantoi kandidatin e Vetëvendosjes për kryetar të Skënderajt, Hysni Mehanin, të cilin e përshkroi si “aktivist të devotshëm, asamblist tejet aktiv, të dijshëm, modest dhe trim, që afron dhe bashkon komunitetin”.
Kurti theksoi se Mehani do të sjellë zgjidhje për nevojat e qytetarëve dhe do të realizojë projekte konkrete, përfshirë: përmirësimin e furnizimit me ujë të pijes, ndërtimin e çerdheve të reja, ngrohtoren e qytetit, trafikun publik, pishinën gjysmë-olimpike, parqet me lodra për fëmijë, parkun teknologjik inovativ dhe shtegun për ecje e vrapim. Ai gjithashtu premtoi reduktim të numrit të drejtorive komunale për orientimin e buxhetit drejt investimeve kapitale.
Kurti përfundoi duke theksuar: “Me Hysni Mehanin shërbejmë me pasion, dije e punë. Skënderaj me të në krye pas 12 tetorit do të zhvillohet në mënyrë të qëndrueshme dhe të përmirësojë jetën e qytetarëve.” /Kosova.info/
