Kurti: Krenari pjesëmarrja e Kosovës në Lojërat Paralimpike

Moment krenarie është cilësuar nga kryeministri Albin Kurti pjesëmarrja e Kosovës në Lojërat Paralimpike të Parisit 2024.

Ai gjithashtu ka falenderuar atletin Grevist Bytyçi që ka marrë pjesë në garën e vrapimit 1500 metra në kategorinë T46, duke përfunduar në vendin e 15-të.

Kurti së bashku me zëvendëskryeministren Emilija Rexhepi, kanë marrë pjesë në një ngjarje të organizuar për të festuar pjesëmarrjen e parë të Kosovës në Lojërat Paralimpike “Paris 2024”.

Kurti ka përmendur edhe mbështetjen që ka ofruar dhe Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit. “Angazhimi institucional është thelbësor në rritjen dhe zhvillimin e këtij sporti”, ka thënë shefi i qeverisë.

Ai ka shtuar se përveç rritjes së ndjeshme të buxhetit vjetor të organizatës, nga ky vit ka filluar edhe mbështetja për federatat e reja paralimpike, e ku totali i buxhetit të të dyjave arrin gjithsej 320 mijë euro për vitin 2024.  “Le t’i fuqizojmë përpjekjet tona, le t’i bashkojmë forcat tona, dhe le të nxisim talentet që të arrijnë majat e sportit”, është shprehur Kurti. /Kosova.info/

Go to TOP