Kurti: Jemi në vijë të drejtë të një tranzicioni të nevojshëm energjetik

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, të enjten deklaroi se Ankandi Solar 100 MW do të shtojë përfitime sa i përket zvogëlimit të kostos si dhe do ta shtrojë rrugën drejt projekteve të ardhshme për energji të ripërtrishme.

Në konferencën e Para Ofertimit për Ankandin Solar 100 MW, organizuar nga Ministria e Ekonomisë në bashkëpunim me USAID, Kurti tha se Kosova është në vijë të drejtë të një tranzicioni të nevojshëm energjetik.

“Ky potencial do të shtojë benficione shtesë sa i përket zvogëlimit të kostos dhe do ta shtrojë rrugën drejt projekteve të ardhshme për energji të ripërtrishme. Jemi në vijë të drejtë të një tranzicioni të nevojshëm energjetik. Ky është një progres i gjelbër i prekshëm“, tha Kurti.

Ndërsa ambasadori i ShBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier, tha se ky ankand paraqet një hap të rëndësishëm të Kosovës në integrimin në Bashkimin Evropian.

“Ky ankand paraqet edhe një hap të rëndësishëm në integrimin e Kosovës në BE. Përfshirja e sektorit privat është jetike për arritjen e qëllimeve për dekabornizim. Kosova është në pozitë të mirë rajonale, por kalimi  nga energji të ripërtrishme do të kërkojë investime edhe nga sektori privat”, tha Hovenier, transmeton KP.

Ndërsa ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli tha se pavarësia energjetike është siguri për zhvillim.

Edhe ajo falënderoi USAID-in për mbështetje në hartimin e legjislacionit e përpilimin e strategjisë.

“Pavarësia energjetike është siguri për zhvillim. Do të gjenerojmë edhe praktikat e reja. Investimet dhe puna që po bëjmë është garanci për zhvillim edhe të fuqisë punëtore që është e aftë të punojë në këtë sektor. Falënderoj USAID-in për mbështetjen pasi jemi përballur me sfida, kriza në këtë periudhë na ka dal në ndihmë dhe ka qenë partnerë kryesor në të gjitha hapat tonë në strategjie në legjislacion”, ka thënë Rizvanolli.

Ndryshe, më 12 maj, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, së bashku me ministren e Ekonomisë, Artane Rizvanolli dhe administratoren e Agjencisë Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID), Samantha Power kanë shpallur ankandin e parë për parkun me energji solare me kapacitet prej 100 Megawatt (MW).

Go to TOP