Deklarata e Sorensenit, Hoti kritikon pushtetin: Refuzohet Marrëveshja e Uashingtonit, pranohet e Ohrit

Ish-kryeministri i vendit, Avdullah Hoti, ka reaguar pas deklaratave të fundit të të dërguarit të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen.

Emisari evropian ka deklaruar se marrëveshja e Ohrit vlen edhe pa nënshkrime dhe se ajo ka nisur të zbatohet në disa pjesë.

Lidhur me këtë, Hoti ka thënë se diplomacia e Kosovës ka degraduar gjatë pesë viteve të fundit.

“Refuzohet Marrëveshja e Uashingtonit, ndërkaq pranohet Marrëveshja e Ohrit.”, ka shkruar Hoti.

Deputeti i rizgjedhur i LDK-së ka kritikuar sërish që për gjashtë vite nuk është zbatuar marrëveshja e Uashingtonit.

“Edhe sot, kur gjithë Evropa është zgjuar në këmbë për të eliminuar plotësisht çdo varësi nga gazi rus, Kurti dhe sejmenët e tij e refuzojnë projektin e gazit amerikan duke përrallisur për alternativa të tjera të furnizimit me energji.”, ka shkruar Hoti.

Ai ka kritikuar qasjen e ekzekutivit Kosovar.

“Nuk kanë hezituar të pranojnë Marrëveshjen e Ohrit, e cila sipas Sorensenit tani përbën obligim ndërkombëtar të Kosovës.”, ka shkruar ish-kreu i ekzekutivit. 
Go to TOP