Kurti insiston në Procesin e Berlinit
Albin Kurti sërish shkoi në Athinë.
Në kryeqytetin e Greqisë, kryeministri i Kosovës të martën ishte folës i panelit diskutues “Evropa juglindore: A mund të ketë stabilitet dhe prosperitet në rajon?”.
Në aspektin ekonomik, Kurti thotë që Kosova po përjeton rritjen më të madhe në historinë moderne.
“Ne kemi 10.53% rritje të GDP-ës që është rritja më e madhe që nga përfundimi i luftës. Po ashtu ne kemi rritur investimet e huaja direkte me 22%, eksportet me 83 %, investimet kapitale me 10% dhe në krahasim me dy vjet më parë buxheti vjetor i shtetit tonë është 26% më i lartë”.
Kurti shtoi se republika kosovare është shembull i madh sesi demokracia dhe ekonomia shkojnë së bashku.
Shefi i qeverisë kosovare foli edhe për luftën në Ukrainë që e nisi Rusia më 24 shkurt. Ndodhitë i quan fashizëm rus, kurse aleatin e madh të Moskës, Serbinë, e akuzon për njëanshëmri.
“Fqinji jonë verior Serbia, përkundër të tjerëve, ka lidhje shumë të ngushta me Rusinë në ekonomi, ushtri, kulturë e kështu me radhë. Zgjidhja për Ballkanin Perëndimor natyrisht është Bashkimi Evropian dhe drejt kësaj neve na duhet “Procesi i Berlinit 2.0”, një fillim i freskët nga kancelari Olaf Scholz. Unë kam shpresa të mëdha në lidershipin e tij”.
Pos në Scholz, kryeministri kosovar pritje ka edhe në presidentin e Amerikës.
“Me presidentin Biden në Shtëpinë e Bardhë dhe me kancelarin Scholz në Berlin ne mund ta rigjallërojmë urën trans-atlantike e cila në shekullin 21 është edhe më e rëndësishme sesa në shekullin e 20-të”.
Në panel krahas Kurtit, mes tjerësh, ishin edhe kryeministri i Malit të Zi Dritan Abazoviq, i Dërguari i Britanisë së Madhe për Ballkanin Perëndimor Stuart Peach dhe ish-kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev.
Ngjarja në Athinë tradicionalisht organizohet nga prestigjiozja britanike “The Economist”.
