Kurti i quan të tepruara deklaratat dhe shqetësimet ndërkombëtare
11:22 – Kurti i quan të tepruara deklaratat dhe shqetësimet ndërkombëtare
Kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka thënë se pas betimit të kryetarëve të rinj në veri më 25 maj, mungonte e po mungon ende deklarata se në përputhje me procesin të mos pengohet as puna e kryetarëve deri në zgjedhje të reja.
Ai o quajti deklarata e shqetësime të tepruara, reagimet e shteteve të QUINT-it dhe Bashkimit Evropian, duke thënë se ato s’i ndihmuan situatës.
“Deklarata e munguar e shoqëruar me shqetësimet e tepruara nuk i ka ndihmuar situatës. Kjo kronologji e ngjarjeve është me rëndësi pasi që tregon se institucionet e Kosovës kanë bërë detyrat e tyre”.
“Ne kemi vepruar në përputhje me obligimet kushtetuese dhe interesat e qytetarëve të Kosovës, por kjo kronologji tregon se jo vetëm që ka pasur konsultim por edhe bashkërendim me partnerët ndërkombëtar”, tha Kurti.
Tutje, ai tha se s’ka pasur asnjë befasi për partnerët ndërkombëtarë, pasi siç tha, ky ka qenë një proces me shumë hallka e “hallka e fundit ishte shkuarja e kryetarit me çantë në vend të punës.
“Ajo që duhet ta përsëris është se objektet publike të Kosovës i takojnë Kosovës e Kosova është e qytetarëve”, tha Kurti.
10:48 – Nis seanca për veriun me 40 minuta vonesë
Me rreth 40 minuta vonesë, kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca e ka nisur seancën e thirrur nga opozita për debat mbi situatën e krijuar në veri dhe për raportet e vendit me ShBA-në si pasojë e kësaj situate.
Arben Gashi, shef i GP të LDK-së, tha se do të presin çka do të thotë kryeministri Kurti për këto tema, para se të nisin debatin.
“Me propozim të Kryesisë së Kuvendit, kemi ftuar sot kryeministrin Kurti që të raportojë mbi gjendjen e krijuar në veri të Kosovës dhe raportet me ShBA-në. Këto janë dy temat për çka e kemi ftuar kryeministrin të raportojë dhe presim raportin e tij dhe pastaj deklarimet tona mbi raportin e tij mbi gjendjen”, tha Gashi.
Deputetët s’e marrin seriozisht seancën për veriun – vonohen shumica
Kuvendi i Kosovës sot ka thirrur seancë për situatën në veri, e cila është dashur të nisë në ora 10:00.
Ndonëse tema është mjaft serioze, deputetët e kuvendit kanë zgjedhur që të vonohen për seancë.
Deri në ora 10:05, në sallë të kuvendit ishin vetëm 12 deputetë, ku së paku tetë prej tyre ishin nga mazhoranca e vetëm tre u panë te jenë ulur në ulëset e opozitës.
