Kurti: Franca ka qenë ndër miqtë e parë të Kosovës

Mbrëmjen e sotme, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në ngjarjen e organizuar nga ambasada franceze në Kosovë, me rastin e shënimit të ditës kombëtare të Francës. 

Në fjalën e tij, kryeministri shprehu urimet ndaj Francës dhe popullit francez në këtë përvjetor të festës së tyre kombëtare. “Vera e vitit 1789 ishte një verë historike, jo vetëm për popullin e Francës, por edhe për të gjithë popujt që duan lirinë dhe demokracinë. Me 14 korrik 1789, një grup revolucionarësh pushtuan burgun e Bastijës, duke shpërfaqur kulmin e pakënaqësisë së tyre ndaj monarkisë, si dhe frymën e re të lirisë dhe barazisë.”

Ai shtoi se ende sot, 235 vjet më vonë, Franca po shënon edhe një verë tjetër historike, e frymëzuar nga po të njëjtat vlera. “Qytetarët e Francës riafirmuan më 7 korrik përkushtimin e tyre ndaj lirisë dhe barazisë, duke votuar bindshëm për Republikën dhe për Evropën. Ndonëse të ndara me mbi dy shekuj në mes vete, viti 1789 dhe viti 2024 janë të lidhur ngushtë me njëri-tjetrin. Pa çka se në parti të ndryshme me dallime jo të vogla, bashkimi politik e publik për republikë dhe Evropë i Francës së korrikut 2024, në zgjedhje të lira e demokratike, nuk do të ishte i mundur pa revolucionin e korrikut të vitit 1789. Jam i bindur që kjo Francë, Franca si e tillë, vazhdon të inspirojë kontinentin evropian dhe botën mbarë.” u shpreh kryeministri.

Në përfundim, kryeministri vlerësoi edhe partneritetin dhe miqësinë e ngushtë me Francën: “Prej ndërhyrjes së NATO-s në 1999, deri në Deklaratën e Pavarësisë në 2008, e deri më sot, Franca ka qenë ndër miqtë e parë të Kosovës dhe vazhdon të jetë ndër më të mirët. Në momentet më të rëndësishme të historisë sonë, si popull dhe si shtet, në raste të gëzimit dhe ato të pikëllimit, juve ju kemi gjetur në krah. Për këtë, kemi qenë, jemi sot, dhe do të jemi përherë, falënderues.”

Fjala e plotë e kryeministrit Kurti:

Shkëlqesia juaj, ambasador Olivier Guerot, ambasador i Francës në Republikën e Kosovës,

Të nderuara zëvendëskryeministre të Republikës së Kosovës, znj. Donika Gërvalla-Schwarz dhe znj. Emilija Rexhepi,

Të nderuar ministra të Qeverisë, deputetë të Kuvendit, zëvendësministra, përfaqësues e drejtues të institucioneve, kryetarë të komunave,

Të nderuar shkëlqesi ambasadorë dhe përfaqësues të tjerë diplomatikë të shteteve mike,

Të nderuar përfaqësues të organizatave joqeveritare,

Të nderuar të pranishëm,

Zonja dhe zotërinj,

Si entuziast i historisë, edhe si kryeministër i shtetit më demokratik në rajon, është nder dhe kënaqësi që t’ju drejtohem sonte, me rastin e Festës Kombëtare të Republikës Franceze.

Vera e vitit 1789 ishte një verë historike, jo vetëm për popullin e Francës, por edhe për të gjithë popujt që duan lirinë dhe demokracinë. Me 14 korrik 1789, një grup revolucionarësh pushtuan burgun e Bastijës, duke shpërfaqur kulmin e pakënaqësisë së tyre ndaj monarkisë, si dhe frymën e re të lirisë dhe barazisë. Kjo frymë revolucionare e kishte edhe një anë konstruktive: Më pak se një muaj e gjysmë pas pushtimit të Bastijës, përkatësisht çlirimi i të burgosurve, me 26 gusht, Asambleja Konstitutive Kombëtare miratoi një dokument e instrument historik: Deklaratën e të Drejtave të Njeriut dhe Qytetarit. Neni i parë i Deklaratës pohon se: “Burrat, (sot themi ‘Njerëzit’), janë të lindur dhe mbeten të lirë dhe të barabartë në të drejtat e tyre”.

235 vjet më vonë, Franca po shënon edhe një verë tjetër historike, e frymëzuar nga po të njëjtat vlera. Përkundër parashikimeve të gati të gjithë ekspertëve, qytetarët e Francës riafirmuan më 7 korrik përkushtimin e tyre ndaj lirisë dhe barazisë, duke votuar bindshëm për Republikën dhe për Evropën. Ndonëse të ndara me mbi dy shekuj në mes vete, viti 1789 dhe viti 2024 janë të lidhur ngushtë me njëri-tjetrin. Pa çka se në parti të ndryshme me dallime jo të vogla, bashkimi politik e publik për republikë dhe Evropë i Francës së korrikut 2024, në zgjedhje të lira e demokratike, nuk do të ishte i mundur pa revolucionin e korrikut të vitit 1789. Jam i bindur që kjo Francë, Franca si e tillë, vazhdon të inspirojë kontinentin evropian dhe botën mbarë.

Vera e këtij viti është e rëndësishme për Francën edhe për shkak të Lojërave Olimpike dhe Paralimpike, të cilat do të mbahen në Paris, për herë të parë qysh prej vitit 1924. Kosova do të marrë pjesë, me krenari, për të tretën herë në Lojërat Verore dhe të pestën herë gjithsej. Së shpejti, ne do t’jua kthejmë nderin, si nikoqire e Lojërave Mesdhetare të vitit 2030.

Të nderuar të pranishëm,

Në ditët tona, për lirinë dhe barazinë flitet shumë, duke e lënë shpeshherë në harresë vëllazërinë. Liria, barazia, vëllazëria: Kjo treshja e pavdekshme e vlerave e ka burimin në Revolucionin Francez, vazhdon të jetë motoja kombëtare e Francës, tash në Republikën e Pestë. “Vëllazëria”, sikurse edhe “miqësia”, është ndër ato koncepte të rralla të cilat përcaktojnë, një lidhje të ngushtë midis njerëzve në njërën anë, dhe një vlerë morale dhe politike në anën tjetër. Kjo e bën që, në krahasim me vlera të tjera, të jetë më e fuqishme, duke iu afruar më lehtë intuitës dhe ndjenjës njerëzore. Sigurisht se kjo është thikë me dy teha: fuqia emocionale e idealit të “vëllazërisë” mund edhe të keqpërdoret për të maskuar dhe justifikuar pabarazinë dhe shtypjen e grupeve të tjera. Këtë e dimë më së miri në Kosovë, kur aspiratës tonë për liri dhe barazi, i kundërpërgjigjeshin dikur me thirrje për “vllaznim dhe bashkim”.

Mirëpo, në kuptimin më të mirë të saj, vëllazëria është vlerë esenciale në ditët e sotme. Sepse pa vëllazërinë, nuk mund të mbrohet as liria, as barazia. Popujt që duan të jenë të lirë dhe të barabartë në tokën e tyre kanë edhe të tillë armiq që nuk hezitojnë t’i shfarosin po patën shans. Sot shënojmë edhe 29 vjetorin e gjenocidit në Srebrenicë, të vrasjes masive, të masakrës së tmerrshme, të 8372 burrave e djemve boshnjakë. Liria e barazia të fituara me revolucionin në Francë dikur, kërkojnë vëllazërim të të gjithë neve sot, për t’i mbrojtur e mirëmbajtur këto vlera, me institucione demokratike dhe mendim kritik, me zhvillim ekonomik e progres shoqëror, me shtet ligjor dhe ushtri moderne.

Me 8 qershor të këtij viti, me rastin e vizitës së tij shtetërore në Francë, presidenti i ShBA-ve, Joe Biden, tha për Francën se “ishte miku ynë i parë” dhe “ajo mbetet një prej miqve tanë më të mirë”. Gati të njëjtën mund ta them edhe unë, në emër të Kosovës. Prej ndërhyrjes së NATO-s në 1999, deri në Deklaratën e Pavarësisë në 2008, e deri më sot, Franca ka qenë ndër miqtë e parë të Kosovës dhe vazhdon të jetë ndër më të mirët. Në momentet më të rëndësishme të historisë sonë, si popull dhe si shtet, në raste të gëzimit dhe ato të pikëllimit, juve ju kemi gjetur në krah. Për këtë, kemi qenë, jemi sot, dhe do të jemi përherë, falënderues.  

Bonne fête nationale!

Go to TOP