Sveçla e suspendon, Kurti e shkarkon – Fadil Kodra ‘zhduket’ nga AME për 24 orë

Brenda 24 orëve, Drejtori i Agjencisë për Menaxhimin e Emergjencave (AME), Fadil Kodra, është suspenduar e shkarkuar nga kjo pozitë. Vendimin për suspendim e ka marrë Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, më 13 tetor 2022.

Një ditë më pas, Kryeministri Albin Kurti ka vendosur që ta shkarkojë Kodrën. Kjo s’është hera e parë që pushteti merret me Fadil Kodrën. Ai ishte shkarkuar edhe në muajin korrik nga Sveçla, por që vendimi ishte rrëzuar nga Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës.

Avokati i Kodrës i ka konsideruar vendimet e Kurtit dhe Sveçlës, si hakmarrje politike. Gazeta Online Reporteri.net ka siguruar të dy vendimet, që mund t’i gjeni më poshtë.

Për herë të dytë brenda rreth tre muajve, Fadil Kodra është shkarkuar nga pozitat që mbante në Agjencinë për Menaxhimin e Emergjencave.

Më 13 tetor, Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka marrë vendim që ta suspendojë Kodrën, për “keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Në vendimin e Sveçlës që e ka siguruar Gazeta Online Reporteri.net, thuhet se arsyet e këtij vendimi janë:

-Keqpërdorimi i pozitës me rastin e ndarjes së parregullt të shtesave të zjarrfikësve për pagesën e orëve shtesë, ndërrimeve të natës dhe festave;

Keqpërdorimin e pozitës dhe cenimin e të drejtave me rastin e moskryerjes së kontrollit të rregullt mjekësor të zjarrfikësve të punësuar në këtë agjenci;

Keqpërdorimin e pozitës përkatësisht shkeljen e ligjit lidhur me punësimin e zyrtarit në rastin e tejkalimit të kritereve në konkursin publik për zjarrfikës dhe

-Keqpërdorimin e pozitës përmes përdorimit të mjeteve financiare të destinuara për rekrutimin e operatorëve teknik duke angazhuar stafin tjetër administrativ.”.

Për këto arsye, Kryeministri Albin Kurti ka vendosur të nesërmen që ta shkarkojë Kodrën nga kjo pozitë.

“Z.Fadil Kodra shkarkohet nga pozita e Drejtorit të Agjencisë për Menaxhim Emergjent, për shkak të dyshimit të bazuar për kryerje të veprës penale”, thuhet në vendimin e Kurtit.

Shkarkimin e Kodrës nga kjo pozitë, avokati i tij, Fadil Kodra, e ka quajtur hakmarrje politike.

Kodra i ka thënë Gazetës Online Reporteri.net se Kodra është shkarkuar vetëm pse s’i është nënshtruar vullnetit politik të Kurtit e Sveçlës “për ta vënë këtë agjenci në funksion të agjendës partiake”.

“Vetëm disa javë pas kthimit të z. Kodra në pozitën e tij, ministri Sveçla ka marrë vendim për suspendimin e tij nga kjo pozitë dhe po të njëjtën ditë, me vendim të Kryeministrit Albin Kurti, z. Kodra është shkarkuar (13 tetor 2022). Një vendim i tillë, përveç se është i kundërligjshëm, konsideroj se përbën një hakmarrje të ulët që e ka për qëllim njollosjen e figurës dhe reputacionit të z. Kodra, duke e përndjekur vetëm pse nuk i është nënshtruar vullnetit politik të tyre për ta vënë këtë agjenci në funksion të agjendës partiake për të bërë punësime dhe shkarkime arbitrare dhe për të ushtruar kontroll politik mbi këtë institucion të sigurisë”, ka thënë Fetahu.

Sipas Fetahut, vendimet e Kurtit e Sveçlës janë të kundërligjshme.

“Aq më keq që këto dy vendime janë të kundërligjshme dhe si të tilla minojnë parimin kushtetues dhe ligjor të prezumimit të pafajësisë sepse i pari, ai për suspendim, nuk paraqet asgjë tjetër përveç një akt të mbushur me akuza të pabaza “aktakuzë”, ndërsa vendimi i dytë i KM Kurti, veçse i konfirmon ato dhe e nxjerr “dënimin” ndaj autorit të pretenduar të tyre, duke mos i lënë asnjë mundësi ligjore vlerësimit të të gjitha gjetjeve, peshës dhe rëndësisë së tyre, pa e paragjykuar epilogun e një procesi të tillë”, ka deklaruar Fetahu.

Avokati ka paralajmëruar se do të ushtrojë ankesë ndaj këtyre dy vendimeve.

“Sigurisht se me autorizim të z. Kodra, do të vazhdoj ndërmarrjen e veprimeve juridike, fillimisht për të kontestuar ligjshmërinë e vendimit për shkarkim, pastaj edhe për të nisur procedurat penale dhe civile kundër autorëve të lartcekur të shkeljeve ligjore”, ka thënë Fetahu për Reporteri.net.

Kjo është hera e dytë që shkarkohet Kodra. Një vendim për shkarkimin e tij e kishte marrë Ministri Sveçla edhe në korrik të këtij viti.

“Ju njoftojmë se Ministri Sveçla e ka shkarkuar dje nga detyra z. Kodra. Për korrektësi, z. Kodra ka qenë në funksionin e tij me vendim si Ushtrues Detyre i Drejtorit dhe jo Drejtor i Përgjithshëm i AME-së”, kishte deklaruar në korrik, një zëdhënëse e MPB-së.

Ky vendim ishte rrëzuar nga Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës, duke u cilësuar si i kundërligjshëm dhe kishte përfunduar me kthimin në punë të Kodrës.

Fadil Kodra ka shërbyer si udhëheqës i agjencisë që menaxhon me njësitë e zjarrfikësve që nga viti 2010, kur ishte emëruar në këtë pozitë nga Qeveria “Thaçi 1”. Për shtatë vjet, Kodra shërbeu si Kryeshef Ekzekutiv i Agjencisë së Menaxhimit të Emergjencave, ndërkaq në pesë vitet e fundit ka ushtruar pozitën e Drejtorit të Përgjithshëm në këtë agjenci.

Sipas përshkrimit zyrtar, misioni i AME-së është mbështetja e qytetarëve për tu përgatitur, mbrojtur dhe reaguar nga të gjitha rreziqet e mundshme, kryesisht ato natyrore.

Drejtori i shkarkuar nga detyra është familjar i Ilaz Kodrës, Komandantit të Brigadës 114 të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, i cili ra heroikisht gjatë luftën për çlirimin e Kosovës më 30 prill, 1999.

Go to TOP