Kurti dhe Oliphant flasin për bashkëpunimin Kosovë-Kanada

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, priti sot në takim Rob Oliphant, Sekretari Parlamentar i Ministrit të Punëve të Jashtme të Kanadasë dhe anëtar i Parlamentit të Kanadasë.

Në takim u diskutua për thellimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Kanadasë. Kryeministri Kurti shprehu mirënjohjen e tij për mbështetjen e pandërprerë të Kanadasë që nga viti 1999.

Ai falënderoi veçanërisht Kanadanë për mbështetjen e saj për anëtarësim të Kosovës në organizatat ndërkombëtare.

Diskutimet u përqendruan rreth bashkëpunimit të mundshëm në sektorë të ndryshëm sikurse energjia e pastër, burimet natyrore, prodhimin e lehtë dhe teknologjinë informative ku Kanadaja ka njohurinë, teknologjinë dhe përvojë të madhe.

Këto fusha u konsideruan me potencial të madh për bashkëpunim, që mund të kontribuojnë në rritjen ekonomike të qëndrueshme dhe përparimin teknologjik në Kosovë.

Oliphant, duke njohur përparimin e Kosovës, shprehu gatishmërinë e Kanadasë për bashkëpunim të plotë dhe thellim e zgjerim të marrëdhënieve mes dy shteteve tona.

Kryeministri Kurti ishte i shoqëruar në takim nga ambasadori i Kosovës në Kanada, Adriatik Kryeziu, kurse z. Rob Oliphant ishte i shoqëruar nga ambasadorja e Kanadasë për Kosovë, Jessica Blitt. /Kosova.info/

Go to TOP