Kurti “çuditet” me raportin e DASh-it për të drejtat e njeriut në Kosovë

“Sepse sundimi i ligjit, të drejtat e njeriut, demokracia në Kosovë janë jo vetëm më të mirat në rajon, por edhe më të mira se në disa vende anëtare të Këshillit të Evropës”.

Kështu është shprehur kryeministri Albin Kurti gjatë një intervistë dhënë medias gjermane në gjuhën shqipe, DW, duke folur për çështjen e Asociacionit.

Ndërkaq, intervistuesja ka kërkuar një koment nga kryeministri Kurti në lidhje me raportin e fundit të Departamentit Amerikan të Shtetit për të drejtat e njeriut, ku Kosova paraqitet si vend me probleme serioze për sa i përket pavarësisë së institucioneve juridike e frikësimit të medias.

Kreu i ekzekutivit e pranoi se “ka kritika për ne”, por u “çudit” pse raporti i DASh-it nuk i ka cituar edhe raportet e organizatave tjera për të drejtat e njeriut.

“Natyrisht që ka edhe kritika për ne, por nëse shikoni raportin e vitit 2019, sot Kosova ka progres të jashtëzakonshëm dhe ajo që mua më çudit është që në raportin e Departamentit Amerikan të Shtetit nuk citohet për shembull ‘Freedom House’, nuk citohet ‘Transparency International’, dhe po të citoheshin, do të duhej të lëvdohej Kosova”, ka thënë Kurti në këtë intervistë.

Go to TOP