Kurti: Albanologjia, dije luftarake për të drejta të shqiptarëve në Ballkan

Kryeministri i vendit, Albin Kurti, në hapjen e konferencës “Java e Albanologjisë”, ka thënë se albanologjia ka shërbyer për vetëdije kombëtare dhe përpjekje për mbrojtje të të drejtave.

“Albanologjia te shqiptarët lindi si një dije aktive e luftarake, e lidhur ngushtë me vetëdijen kombëtare të popullit. Ajo ishte pjesë e përpjekjes për të mbrojtur të drejtat dhe interesat e shqiptarëve në Ballkan”, ka thënë Kurti.

Sipas tij, dija fillestare albanologjike e shekujve të 18-të e 19-të ndihmoi në zgjimin kombëtar  të shqiptarëve.

“Rilindësit tanë të shquar, duke nisur nga vëllezërit Frashëri e Pashko Vasa e deri te Faik Konica e Fan Noli, i shfrytëzuan arritjet shkencore të albanologjisë, për të krijuar orientimin tonë kombëtar dhe për të hedhur poshtë pretendimet jo shkencore dhe propagandën raciste të shovinistëve fqinj”, ka thënë ai.

Në edicionin e 15-të të ngjarjes, për tri ditë në pesë sesione do të paraqiten 92 studiues.

Go to TOP