Kuka: Xhudoja sjell medalje, klubet në komuna diskriminohen!
Trajneri i njohur i xhudos, Driton Kuka, ka ngritur një shqetësim të madh lidhur me trajtimin e klubeve të xhudos nëpër komuna të Kosovës. Përmes një postimi, ai theksoi se pavarësisht se xhudoja i ka dhënë Kosovës pesë medalje olimpike, klubet në shumicën e komunave po diskriminohen rëndë.
“Pesë rrathët i plotësoj xhudo, për besë krejt pesë copa! E klubet e xhudos në shumicën e komunave diskriminohen keq. Ngriteni zanin tash para zgjedhjeve komunale”, shkroi Kuka duke iu bërë thirrje trajnerëve, zyrtarëve dhe miqve të sportit që të flasin hapur për këtë padrejtësi.
Ai po ashtu u shpreh i zhgënjyer që në thirrjet për aplikime në nivel qendror, asnjë klub i xhudos nuk ka përfituar, sipas informacioneve që ka marrë nga shumë prej tyre.
Kuka shtoi se propozimi i hershëm ka qenë që grantet të ndahen në nivel komunal nga ekspertët lokalë, në mënyrë që klubet të kenë mbështetje më të drejtë dhe më të barabartë.
“Postimi s’ka të bëjë me klubin ku unë punoj, por për ankesat që kanë ardhur nga klubet tjera”, sqaroi trajneri i suksesit olimpik të Kosovës. /Kosova.info/
